E Shtunë, 31 Tetor 2026

Administrata shtetërore në prag të zgjedhjeve parlamentare

*Nga Dhimitraq SHONI
Administrata shtetërore, është një organizëm gjigant që vepron në të gjithë hapësirën e Republikës dhe ka si pikësynim zbatimin e ligjshmërisë në mënyrë tepër          transparente dhe korrekte në shërbim të qytetarëve. Ajo duhet të ketë në gjirin e saj punonjës me edukatë të lartë qytetare, admininistrative dhe profesionale. Kjo do të thotë, që punonjësit, pavarësisht se cbindje dhe edukatë politike kanë, nuk duhet të harrojnë në asnjë moment se janë administratorë dhe para detyrës së tyre ligjore nuk mund të vendosen interesa të tjera, qofshin edhe ato politike. Gjatë orarit administrativ askush nuk ka të drejtë të merret me punë dhe aktivitete jashtë kuadrit që i lejon ligji dhe hapësira e veprimtarisë së tij administrative. Punonjësit e administratës shtetërore, jo vetëm duhet të presin e të plotësojnë çdo kërkesë dokumentare të qytetarëve, por në çdo moment duhet të jenë dhe edukatorë qytetarie e ligjshmërie të tyre. Me këtë  kuptojmë se qytetarët, që kanë probleme të natyrave të ndryshme dhe i drejtohen një zyre shtetërore, duhet të gjejnë në to një ambient tepër të ngrohtë e miqësor dhe të largohen prej tyre jo vetëm të kënaqur nga shërbimi, por dhe shumë të qartë se ku duhet të drejtohet e si duhet të veprojnë juridikisht për të zgjidhur problemin e tyre, nëse zyra përkatëse nuk ishte kompetente. Kështu qytetarët e shikojnë administratën si pjesë të jetës së tyre, pa ndihmën e së cilës ata do ta kishin të vështirë të zgjidhnin  problemin e të sqarojnë çështjen që i preokupon.
Por cilat janë problemet me të cilat përballet administrata sot?
1. Krijimi i saj nga politika dhe sidomos pas viteve 90, ajo vuan sot po nga ajo që e       krijoi, nga politika.          
2. Militantizmi i hoqi asaj kriterin bazë, meritokracinë.
3. Edukata administrative është problematike dhe ul shumë dinjitetin e administratës.
4. Shpërblimi i administratës është jo dinjitoz, jo autoritar dhe jo nxitës.
Le tu kthehemi këtyre problemeve dhe ti analizojmë një nga një:
1. Duke qenë se administrata gjatë viteve të rënies së sistemit u shpërbë, për arsye tashmë tepër të qarta, nismëtarët e krijimit të partive të para politike, nxituan të përfshinin në gjirin e tyre sa më shumë punonjës me emër të administratës së dikurshme, sigurisht nga ata që kishin mbetur. Kjo u shoqërua me një pseudopatriotizëm politik dhe me mosmirënjohje ekstreme të disa punonjësve ekzemplarë, që ishin më të privilegjuarit e sistemit të rrezuar. Ata se kishin për turp të shtireshin ndryshe nga ajo shtirja e para viteve 90. Kjo shtirje, për fat të keq, zuri vend në kushtet kur populli i hallakatur kërkonte rrugë për të gjetur veten. Ajo instaloi edhe në administratën e re shtetërore, hipokrizinë dhe shtirjen e atyre punonjësve të vjetër që nxituan ta pushtonin e ta mbanin peng.                                   
 2. Ishin po këta punonjës militantë të administratës së vjetër që sollën militantizmin politik dhe në administrate, duke eliminuar vlerat, profesionalizmin, qytetarinë. Kështu, me ndihmën e madhe të militantëve, u instaluan në administratën e shtetit antivlerat në vend të meritokracisë. Ata që, me çdo metodë antivlere, duke zotëruar e përdorur më mirë se çdo gjë tjetër servilizmin, mbajtën dje vendin e punës, skish se si të mos e kërkonin këtë gjë tek ata që tërhiqnin dhe i sillnin për të punuar në administratë.  
3. Për të realizuar synimet e sëmura politike, militantizmi duhet të sillte në administratën e shtetit, njerëzit që skishin asnjë lidhje me të, që snjihnin as rregullat më elementare të edukatës së saj. Por ata kishin një element të veçantë në karakterin e tyre dhe ishin shumë të domosdoshëm. Veç servilizmit, duke mos  e njohur ligjin, ata nuk kishin dhe frikën e tij. Kjo antivlerë, punëdhënësve militantë, u duhej për të mbjellë farën e korrupsionit dhe tu siguronte atyre privilegje edhe më të mëdha. Në këtë mënyrë, edukata administrative pësoi një goditje të fortë dhe kjo ndihet edhe sot. Kështu, qytetarët sot, sjanë të kënaqur nga shërbimi administrativ dhe biznesit i mungon mbështetja dhe ngrohtësia e shtetit.
4. Ende spo kuptohet që, një nga faktorët më të rëndësishëm të luftës kundër korrupsionit është dhe duhet të vlerësohet shpërblimi i administratës. Kjo çështje përbën thembrën e Akilit dhe politika duhet ta ketë shumë mirë parasysh. Administrata duhet të konsiderohet brilant i shtetit dhe duhet të respektohet. Ajo krijohet me shumë mund e sakrifica, ndaj dhe duhet të ruhet me kujdes të madh. Investimet e shumta, për krijimin dhe mbajtjen e saj, dalin nga parat e qytetarëve taksapagues dhe këto duhet të vlerësohen e të mos shpërdorohen për të plotësuar tekat e sëmura të politikanëve për të marrë e për të mbajtur pushtetin.
Është detyrë imediate e cilitdo punonjës në administratën e shtetit, që është personifikim i edukatës dhe i profesionalizmit administrativ, por nga frika e humbjes se vendit të punës dhe i rrethuar nga militantët, hesht ose u bën iso fenomeneve të tilla militantiste. Ai duhet të dalë urgjentisht nga guaska e frikës dhe të kontribuojë në zhdukjen e këtyre fenomeneve denigruese. Qytetarëve shqiptarë u mungon deri diku ngrohtësia e administratës së shtetit, ndaj dhe politikës i del për detyrë të angazhohet totalisht për ta eliminuar militantizmin administrativ dhe për ti hapur rrugë meritokracisë. Vetëm kështu mund të përmbushen kriteret që kërkon Bashkimi Europian, vetëm kështu ne do ti afrohemi standardeve dhe do të shkurtojmë kohën për tu bërë pjesë integrale e Europës.        
                                                                                      
*Drejtor në Drejtorinë Rajonale të Inspektoriatit Shtetëror të Punës, Gjirokastër

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›