E Shtunë, 31 Tetor 2026

Angels and Demons premierë në Tiranë

Vetëm pak ditë pas premierës botërore, filmi Angels and Demons mbërrin edhe në Tiranë. Është pikërisht kinema Millennium që ka blerë të drejtën e shfaqjes së këtij filmi për publikun shqiptar dhe do ta sjellë atë në një premierë të veçantë me shumë të ftuar në datën 21 maj. Përshtatja kinematografike e librit me të njëjtin titull të shkrimtarit Dan Broën, është konsideruar një vijim i filmit The Da Vinci Code të shfaqur në vitin 2006 po në kinema Millennium. Mes dy filmave ka shumë pika të tjera të përbashkëta. Kështu profesori i famshëm Robert Langdon është sërish aktori hollivudian Tom Hanks. Edhe Angels & Demons ashtu si The Da Vinci Code është një vepër e regjisorit Ron Hoëard, i cili ka premtuar se do të marrë përsipër edhe regjinë e një filmi të tretë bazuar në romanin më të ri që Dan Broën përgatitet të sjellë në shtator të këtij viti. I njëjtë është edhe skenaristi, që në të dy filmat mban firmën e Akiva Goldsman, të njohur si autor i shumë skripteve ndër të cilët Beautiful Mind. Edhe kolona zanore është firmuar sërish nga një kompozitor mit i Hollivudit siç është Hans Zimmer. Ngjarjet e filmit sillen rreth profesorit  Langdon, i cili duhet të zbulojë se çfarë fshihet pas një vrasjeje misterioze dhe të parandalojë një atentat me bombë në zemër të Vatikanit. Filmi pati një premierë italiane të suksesshme më 5 maj, ndërsa premiera amerikane është mbajtur më 15 maj. Fundjava e parë e filmit në kinema e ka renditur në vendin e parë të arkëtimeve me 48 milionë dollarë duke krijuar që në fillim përshtypjen e një filmi po aq të ndjekur sa dhe The Da Vinci Code, i cili në total kaloi shumën prej 217 milionë dollarësh.. Ndërkohë dita- ditës Angels & Demons është duke zgjeruar gjeografinë e projeksioneve të tij në të gjitha kinematë e botës dhe brenda datës 23 maj do të ketë konsumuar pothuajse të gjitha premierat e tij më të rëndësishme. Por aktiviteti i organizuar nga Millennium do të sjellë edhe një surprizë për lexuesit. Shtëpia Botuese Dudaj e cila ka ekskluzivitetin e librave të Dan Brown, do të prezantojë në premierë,  botimin e ri të Engjëj dhe djaj, këtë herë me posterin e filmit për kopertinë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›