E Shtunë, 31 Tetor 2026

Administrata, si do rekrutohen punonjësit

 

adi shkembi

Qeveria ndryshon procedurat e rekrutimit të punonjësve në administratën shtetërore. Në mbledhjen e fundit, u miratua strategjia ndërsektoriale të reformës në administratën publike 2009-2013, në kuadër të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim.
 Dokumenti prek të gjitha lëvizjet në administratë, nga pranimi i zyrtarëve të rinj, lëvizja paralele, pagat si dhe penalizimet.
Rekrutimi
Pas ndryshimeve që do të bëhet në statusin e nëpunësit civil rekrutimi i zyrtarëve të rinj do të bëhet përmes një procedure të re. Deri tani për një vend të lirë zhvillohej një konkurs ku duhet të merrnin pjesë të paktën katër kandidatë. Testimi kryhet nga një komision ad hoc dhe eprori i drejtpërdrejtë përzgjedh si fitues një nga tre kandidatët e seleksionuar nga komisioni. Me miratimin e strategjisë, do të përdoret rekrutimi në grup për pozicione të ngjashme, çka do të thotë që për postet që kanë të njëjtën natyrë pune do të zhvillohet vetëm një konkurs dhe nëse konkurrenti që del i pari zë vend në postin e mbetur bosh, nëse pas një periudhe kohe në një post të ngjashëm me të, në një institucion tjetër, do të ketë një vend të lirë, nuk do të zhvillohet konkurs tjetër, por do të pranohet konkurrenti i dytë. “Në nivelin e specialistit, rekrutimi në grup bëhet bazuar në nevojat e pritshme dhe kandidatët e suksesshëm përbëjnë një listë nga ku mund të zgjidhen për t’u emëruar në institucione të ndryshme në momentin e krijimit të një vendi të lirë. Rekrutimi rast për rast për specialistët mund të përdoret për pozicione që kërkojnë specialitete të veçanta”, thuhet në strategji. Në vlerësimin aktual të pranimeve në administratë thuhet se në vitet e para të zbatimit të këtij procesi vërehej një numër relativisht i vogël konkurrentësh për çdo pozicion, më pas ky numër është rritur gradualisht. Në dy vitet e fundit mund të konstatohet një rënie e numrit mesatar të kandidatëve që konkurrojnë për një pozicion, sidomos në nivelet e larta të Shërbimit Civil. Gjithashtu, në dokument preket edhe metoda e testimit të kandidatëve, ku do t’i jepet më shumë peshë formimit, personalitetit dhe aftësive krijuese. Nga pranimi në administratë do të hiqet ajo përmes kontratave paraprake, ndërkohë që eksperienca në punë do të ketë një peshë më të madhe në vlerësimin e kandidatëve. “Intervista nga eprori duhet të dokumentohet, regjistrimi apo dokumentet të ruhen”, theksohet në relacionin e strategjisë. Përsa i përket gjendjes aktuale vërehet se “konkurrimet janë përgjithësisht objektive, por mënyra e vlerësimit në to priret drejt testimeve shabllon dhe teorike, përdoren metoda skematike, që vlerësojnë më shumë informacionin e memorizuar në dëm të vlerësimit të aftësive analitike, formimit potencialit krijues apo personalitetit”.

Rekrutimi në administratë

Propozohen disa përmirësime:

    Përdorimi i proceseve të rekrutimit në grup për pozicione të ngjashme. Në nivelin e specialistit, rekrutimi në grup bëhet bazuar në nevojat e pritshme dhe kandidatët e suksesshëm përbëjnë një listë nga ku mund të zgjidhen për tu emëruar në institucione të ndryshme në momentin e krijimit të një vendi të lirë. Rekrutimi rast për rast për specialistët mund të përdoret për pozicione që kërkojnë specialitete të veçanta. Në nivelin e lartë drejtues (korpusi), rekrutimi bëhet gjithashtu në grup, bazuar në nevojat. Në dy nivelet ndërmjetëse rekrutimi bëhet rast për rast, bazuar në vende të lira aktuale dhe sa herë që jepet mundësia dhe ka kuptim mund të përdoret edhe rekrutimi për më shumë se një pozicion të lirë.

    Përmirësim i metodave të testimit, duke synuar drejt atyre që vlerësojnë formimin, personalitetin, aftësitë krijuese dhe mundësinë e zhvillimit të kandidatëve. Eliminim i përdorimit të kontratave paraprake. Përdorimi i tyre të lejohet vetëm në situata emergjente të justifikuara dhe plotësisht të kontrolluara e me një përqindje tepër të ulët në raport me numrin e punonjësve të një institucioni. Edhe në këto raste, punonjësi i rekrutuar me kontratë paraprake, nuk duhet të ketë të drejtë të konkurrojë për të njëjtin pozicion.

    Pesha e eksperiencës në punë duhet të rritet gjithnjë e më shumë në vlerësimin e kandidatëve që konkurrojnë në pozicionet gjithnjë e më të larta në administratën publike.

    Intervista nga eprori duhet të dokumentohet, regjistrimi apo dokumentet të ruhen.

Ligji kërkon 84 vota në Kuvend

Strategjia e miratuar pak ditë më parë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave do të pasohet nga ndryshimi i ligjit “Për statusin e nëpunësit civil”, i cili mbron punonjësit nga ndryshimi i herë pas hershëm i pushtetit. Por prekja e këtij ligji kërkon në parlament 84 vota, çka detyron maxhorancën të kërkojë patjetër konsensusin e opozitës. Ndonëse miratimi i strategjisë u shty për një vit, me qëllim që opozita të paraqiste propozimet e saj, kjo nuk ndodhi, çka lë të kuptohet se miratimi i ligjit në Kuvend do të jetë i vështirë. Përveç kësaj ndryshimet e ligjit “Për statusin e nëpunësit civil”, duket se nuk do të ndodhin tani afër, të paktën derisa opozita të rikthehet në Parlament. Në relacionin e strategjisë thuhet se zbatimi i saj do të jetë i monitorueshëm. “Informimi i publikut si dhe monitorimi i zbatimit të strategjisë dhe rezultateve të saj nga organizata të specializuara e të interesuara të shoqërisë civile, apo media do të përbëjnë gjithashtu, një nga elementët bazë të sistemit të monitorimit dhe llogaridhënies së strategjisë së administratës publike”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›