E Shtunë, 31 Tetor 2026

Administrata, tender për numrat e celularëve

Punonjësit e administratës shtetërore do të ndryshojnë numrat e telefonit, pasi do pajisen me numra nga një kompani e vetme, e cila do të ofrojë edhe tarifat më të ulëta. 

ADI SHKEMBI

Kryeministri Sali Berisha i kërkoi dje ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, të hapë tenderin për përzgjedhjen e operatorit të telefonisë celulare që do të bëjë edhe ofertën më të lirë. “Zoti Olldashi, është e domosdoshme hapja e tenderit për përzgjedhjen e operatorit të telefonisë celulare për abonimin e administratës shtetërore. Kompania që do të ofrojë çmimin më të leverdishëm do të ketë abonentë të gjithë punonjësit e administratës që dëshirojnë”, u shpreh Kryeministri Berisha. Kryeministri propozoi që në paketën e abonimit për administratën të mos përfshihen vetëm punonjësit nëpër ministri, por edhe ata që punojnë në ndërmarrjet e tjera publike, korporatat, pushteti vendor etj. “Në administratën shtetërore mendoj të përfshihen dhe ndërmarrjet publike, korporatat, pushteti vendor dhe të bëhet një paketë tërheqëse për të marrë tarifat më të leverdishme. Tani janë tre operatorë të telefonisë celulare në vend, më vonë do të jenë dhe më shumë, por dhe ne si qeveri duhet të synojmë të abonohemi në atë kompani që ofron tarifën më të ulët”, u shpreh Kryeministri, duke shtuar se përzgjedhja e kompanisë fituese do të bëhet me tender të hapur. Në të njëjtën kohë, kreu i ekzekutivit bëri të ditur se brenda këtij muaji do të hapet procesi i parakualifikimit për licencat e reja në frekuencat e ulëta dhe të shkurtra për operatorë të rinj në fushën e telekomunikacionit. Kryeministri theksoi se ky vendim synon liberalizimin dhe ridimensionimin e tregut të telekomunikacioneve në vend. Gjatë pjesës së parë të mbledhjes së qeverisë, Berisha vlerësoi edhe ligjin e komunikimeve elektronike, e cili, sipas tij, do të ndikojë në liberalizimin e këtij tregu. “Brenda këtij muaji hapet procesi i parakualifikimit për licenca të reja në frekuencat e ulëta e të shkurtra për operatorë të rinj në fushën e telekomunikacionit. Të gjitha këto, teknologjia wimax, synon liberalizimin e madh dhe ridimensionimin e këtij tregu shumë të rëndësishëm. Ligji i komunikimeve elektronike është ligji më i azhurnuar dhe modern, me parimet më bashkëkohëse që i mundëson këto procese”, u shpreh Berisha në mbledhjen e djeshme të qeverisë. Futja edhe e një tjetër kompanie në tregun e telefonisë celulare pritet të ndikojë ndjeshëm në uljen e çmimeve të këtij tregu në vend.

Banka Botërore: Çmimet e bisedave me celularë janë shumë të larta

Qeveria shqiptare duhet të marrë masat e duhura për të ulur çmimet e bisedave telefonike në celular. Përveç kësaj qeveria duhet t’u japë zgjidhje një herë e mirë problemeve me energjinë elektrike. Këtë herë thirrja është bërë nga vetë drejtuesit e Bankës Botërore në raportin më të fundit “Integrimi i Ballkanit Perëndimor dhe BE-ja”. Sipas këtij raporti, vendet e Ballkanit Perëndimor ku bën pjesë edhe vendi ynë duhet të zhvillojnë më tej kapitalin njerëzor, të ulin kostot e telekomunikacionit dhe të fokusohen tek çështjet që kanë të bëjnë me mungesat e energjisë elektrike. Vetëm në këtë mënyrë mund të mbështetet rritja dhe zhvillimi ekonomik i këtyre vendeve. Sipas raportit të BB-së, ulja e kostove të telekomunikacionit është shumë e nevojshme, pasi kjo do të ndikonte në përmirësimin e konkurrueshmërisë dhe do të kompensonte disavantazhet e shoqëruara me tregje të vegjël individualë dhe do të lehtësonin integrimin rajonal. Po kaq e rëndësishme është edhe eliminimi i kufizimeve të energjisë elektrike, pasi mungesa e energjisë ndikon në largimin e investitorëve qofshin ata të huaj, apo vendas. “Duke u fokusuar në çështjet e rritjes afatgjatë ekonomike në Ballkanin Perëndimor, qëllimi i raportit është të kuptohet më mirë ndikimi tek rritja ekonomike e integrimit më të madh ndërmjet vendeve të rajonit dhe BE-së. Studimi gjithashtu rekomandon prioritete të mundshme për të ndërmarrë veprime në nivel vendi, në mënyrë që të mundësohet përshpejtimi i rritjes ekonomike që udhëhiqet nga eksporti”, tha Sanjay Kathuria, ekonomist i lartë i Bankës Botërore dhe një nga autorët kryesorë të raportit. Kathuria shtoi se, shpreson që një performancë më e fortë ekonomike me synim intensifikimin e integrimit brenda Ballkanit Perëndimor, të cilin e argumenton raporti, do të ndihmojë gjithashtu një stabilitet të përmirësuar rajonal.

Ndryshon vendimi, shpërblimin për “Statusin e Dëshmorit” mund ta marrin dhe të afërmit

Përfitimet nga statusi “Dëshmor i atdheut” mund t’i kenë edhe të afërmit e personave që kanë marrë këtë status. Qeveria miratoi dje një ndryshim në vendimin nr. 151, të vitit 2002. Në pikën 5 të këtij vendimi do të shtohet një paragraf. “Kur familjarit të autorizuar, sipas listës dhe vendimit të Komisionit Qendror të Statusit «Dëshmor i Atdheut», i ndërpritet shpërblimi, si rezultat i ndryshimit të ligjit nr.8607, datë 27.4.2000, kjo e drejtë i kalon njërit prej pjesëtarëve të trungut familjar, të përcaktuar në përputhje me ligjin e sipërpërmendur”, sqarohet në paragraf. Sipas kësaj shtese, personi që përfiton paraqet në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, certifikatën e trungut familjar dhe prokurën e lëshuar nga përfituesit e tjerë. Vendimi do të hyjë në fuqi pas botimit në fletoren zyrtare. Propozimin për këto ndryshime e ka bërë ministri e Mbrojtjes. Në vendimin e vitit 2002 janë përcaktuar një sërë rregullash se kur personit që ka statusin e dëshmorit i ndërpritet shpërblimi. Ndryshimi i ri vjen në përmirësim të disa klauzolave të këtij vendimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›