Administratorët e piramidave mund ta pyesin Cenajn për paratë e kreditorëve
Luan Kondi
Tiranë – Lefter Cenaj nuk do të pyetet nga organi i akuzës, pasi për të ka një vendim të formës së prerë të gjykatës, që do të zbatohet. Madje nuk do të ketë as rihetim për të, pasi gjithçka quhet e mbyllur dhe ish-kreut të njërës prej firmave rentiere i duhet të kryejë një për një vitet e burgut që dhanë për të togat e zeza. Cenaj mund ta japë dëshminë e tij me dëshirë po qe se kërkon rivendosjen në afat të procesit në ngarkim të tij, ose mund të merret në pyetje në rrugë civile, pra nga administratorët e firmave piramidale.
Procesi
Bilbil Mete, një nga prokurorët e njohur që hetuan firmat piramidale, tha për gazetën “Albania” se prokuroria e ka mbaruar punën e saj që në momentin kur u dha dënimi për ish-bosin e piramidës “Cenaj & CO”. Tashmë, sipas tij, nuk mbetet gjë tjetër veçse të zbatohet vendimi i gjykatës, sipas të cilit 61 - vjeçari është dënuar me 10 vjet burg në mungesë. “Nëse Lefter Cenaj do t’i drejtohet gjykatës për vendosje në afat të gjykimit, pasi procesi për dënimin e tij është zhvilluar në mungesë, atëherë ai mund të japë edhe dëshminë. Të sqarojë gjithçka që dëshiron rreth pozitës së tij”, - tha Mete. Prokurori u shpreh se ka edhe një mënyrë tjetër për pyetjen e tij, por ajo është civile, që mund të realizohet nga administratorët e fajdeve. Sipas Metes, prokuroria e ka pranuar ekzekutimin e vendimit për ish-bosin qëkur për të u dha vendimi i formës së prerë.
Ekstradimi
Lefter Cenaj, ish-bosi i firmës piramidale “Cenaj & CO”, u rikthye dy ditë më parë në Shqipëri me pranga në duar, por pa asnjë grosh në xhep nga paratë që u mori 26 mijë shqiptarëve përgjatë viteve 1995-1997. Drejtësia shqiptare duhet të priste të kalonin tetë vjet që homologët grekë, që e prangosën ish-bosin e firmës piramidale “Cenaj & CO”, ta ekstradonin. Rreth orës 15:00 të dy ditëve më parë Lefter Cenaj ka mbërritur në Aeroportin e Rinasit dhe iu dorëzua përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Ai do të vuajë dënimin që mori në mungesë në vitin 2003. Ndërsa është bërë i mundur ekstradimi i ish-bosit të firmës piramidale, nuk ndodhi kështu me marrjen e parave që 61-vjeçarit i janë konfiskuar në bankat greke. Për kthimin e parave të ish-bosit pak muaj më parë është bërë një kërkesë zyrtare nga zëvendësministri i Drejtësisë gjatë një vizite në Greqi. Por duket se miliardat e Cenajt do të mbeten në Greqi, ndërsa Policia e Shtetit mundi të sillte në qelitë shqiptare Lefter Cenajn. 61–vjeçari u dënua me 10 vite burgim pasi u shpall fajtor për veprën penale të mashtrimit me anë të firmave piramidale. Në bazë të shqyrtimit të dokumentacionit të kompanisë rentiere llogariten të vjedhura prej tij më shumë se 5.7 miliardë lekëve të reja. Ai do të kryej dënimin e dhënë nga gjykatat shqiptare pas disa viteve burg në Greqi për një tjetër krim.
Ish-bosi i “Cenaj & CO”
Lefter Cenaj akuzohet se ka mashtruar me vlerën financiare 5.734.415.506 lekë për 25.537 herë. Vjelja e parave të personave të ndryshëm e ka zanafillën në vitin 1995 kur Lefter Cenaj hapi një kompani të quajtur “Cenaj & CO” me anë të së cilës filloi të mblidhte para në formën e huamarrjes nga publiku. Ky i fundit u mashtrua nga premtimet e Cenajt se do të hapte aktivitete të mëdha që do të kishin fitim të trefishtë. Por dy vjet më vonë pikërisht në vitin 1997, kjo firmë rezultoi piramidë. Ajo u fundos bashkë me paratë e më shumë se 25 mijë personave.
Fill pas dështimit të kompanisë “Cenaj & CO”, presidenti i saj, Lefter Cenaj, zhduket nga Shqipëria. Mësohet se ai gjeti strehim në Greqi, ku tërhoqi dhe paratë e publikut duke i mbyllur në llogaritë bankare në shtetin helen. Pas tre viteve liri në Greqi, 61-vjeçari arrestohet nga Policia greke, ndërsa në vitin 2003 emri i tij i shtohet listës së personave të shumëkërkuar nga Policia Shqiptare. Kërkesa për ekstradimin e Cenaj u aprovua nga pala greke, gjë që u realizua ditën e djeshme.
Të dhëna
5.734.415.506 lekë
është shuma për të cilën akuzohet se ka mashtruar Lefter Cenaj kreditorët shqiptarë
25.537
persona janë mashtruar nga ish-kreu i njërës prej piramidave të njohur me emrin “Cenaj & CO”
1995-1997
janë vitet kur Lefter Cenaj ka ushtruar aktivitetin e huamarrjes me kompaninë e tij “Cenaj & CO”
16 Gusht 2008