Beqja: “Berisha i mashtroi shqiptarët me bilancin 7-mujor të qeverisë së tij”
Partia Socialiste i ka cilësuar të gënjeshtra dhe mashtrime deklaratat e kryeministrit Berisha, i cili në analizën 7-mujore të qeverisë së tij për këtë vit, renditi një sërë rezultatesh, të cilat i cilësoi të suksesshme. Nënsekretari për Programin në Partinë Socialiste, Ilir Beqja, tha se qeverisja e Berishës, ndryshe nga sa ai deklaron, ka dështuar në sektorë të rëndësishëm, si lufta kundër korrupsionit, zbutjes së papunësisë etj. “Kryeministri Sali Berisha vijon të rrëshqasë në drejtim të paditur dhe nuk po arrin të kuptojë që edhe sipas vlerësimit të organizmave ndërkombëtarë të specializuar korrupsioni në vend vazhdon të rritet. Kryeministri Sali Berisha vijon të rrëshqasë në drejtim të paditur dhe nuk po arrin të kuptojë që në korrik 2008 kundrejt korrikut 2007 të punësuarit, të papunët, invalidët dhe pensionistët shqiptarë shpenzojnë 30 % më shumë për një kg bukë, 40 % më shumë se për një kg vaj, 25 % më shumë për një kilovat energji elektrike”, - tha Beqja. Nënsekretari për Programin në Partinë Socialiste theksoi se Berisha po jeton në një realitet ndryshe, dhe nuk arrin të kuptojë se dështimi i qeverisë së tij ka shkaktuar probleme shtresave të ndryshme në Shqipëri, duke filluar nga mësuesit, pensionistët etj. “Kryeministri Sali Berisha vijon të rrëshqasë në drejtim të paditur dhe nuk po arrin të kuptojë që edhe pse ka premtuar shprehimisht se do të dyfishojë pensionet dhe do të rrisë më shumë ato të fshatit, për 170 mijë pensionistë të qytetit në 3 vjet të ardhurat janë rritur 35 %, ndërsa për 110 mijë të tjerë janë rritur vetëm 20 % duke shënuar rritjen më të ulët në këta 17 vjet”, - vijoi Beqja. Ai u ndal gjithashtu edhe në çështjen “Gërdeci”. Beqja tha se Berisha minimalisht duhet të kishte dorëzuar imunitetin, por meqë nuk ka bërë këtë gjë, të paktën nuk duhet të pengojë organin e Prokurorisë në zbardhjen e të vërtetës së këtij krimi shtetëror. “Kryeministri Sali Berisha vijon të rrëshqasë në drejtim të paditur dhe nuk po arrin të kuptojë që GERDECI ishte shembulli më tipik i kapjes së tij dhe qeverisë së tij nga trafikantët e të korruptuarit dhe hetimi kapilar për këtë krim monstruoz shtetëror s’mund të jetë i plotë pa kryeministrin në listën e personave në hetim. Prandaj Sali Berisha të lërë retorikat boshe të distancimit të pamundur nga krateri vrastar i Gërdecit dhe meqë nuk ka ku gjen kurajën për t’u zhveshur nga imuniteti, e ftojmë të heqë dorë të paktën nga tentativat për të minuar punën e prokurorisë me projektligje ogurzeza për drejtësinë në Shqipëri”, - tha nënsekretari për Programin në PS, Ilir Beqja.
16 Gusht 2008