PS-LSI, çfarë e mban larg marrëveshjen për Kodin e ri Zgjedhor
Shaban Sulçe
Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim duken ende shumë larg arritjes së konsensusit dhe marrëveshjes së përbashkët për çështjet që kanë të bëjnë me hartimin e Kodit të ri Zgjedhor. Selia rozë, përveçse nuk ka dhënë ende asnjë sinjal pozitiv ndaj ftesës së LSI-së për negociata, duket se ndan pikëpamje dhe qëllime të ndryshme nga ish-aleatja e saj përsa i përket pikave më të rëndësishme që kanë të bëjnë me hartimin e Kodit të ri Zgjedhor. Këto ndryshime thelbësore duket se e bëjnë të pamundur arritjen e marrëveshjes, apo përfundimin me sukses të negociatave midis PS-së dhe LSI-së, për të cilat është deklaruar se mund të rifillojnë në muajin shtator. Dhe në një situatë të tillë, duket se do të jetë i pamundur edhe kandidimi i së majtës në një koalicion të vetëm në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2009.
Megjithatë, duke patur parasysh që vetë politika është arti i kompromisit, ndoshta në negociatat që priten të zhvillohen në muajin shtator, Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim mund të bien parimisht dakord për elementët më të rëndësishëm të Kodit të ri Zgjedhor.
Ndryshimet
Dy janë elementët më thelbësorë që bëjnë diferencën midis qëndrimeve të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim përsa i përket përbërjes së Kodit të Ri Zgjedhor.
Elementi i parë ka të bëjë me mënyrën e përllogaritjes së votave dhe sistemit të korrektimit që duhet të amplifikohet nga sistemi proporcional rajonal. Ndërsa LSI-ja kërkon me insistim përfshirjen në Kodin e ri Zgjedhor të sistemit të korrektimit kombëtar, me qëllim ruajtjen e vlerës së çdo vote për të majtën, Partia Socialiste duket në pozita aspak favorizuese ndaj sistemit të korrektimit kombëtar. Për selinë rozë është më favorizuese aplikimi i thjeshtë dhe i vetëm i sistemit proporcional rajonal, pavarësisht kostove apo efekteve që ai mund të ketë në shpërndarjen e mandateve në parlament. Një tjetër ndryshim është edhe mënyra e llogaritjes dhe e numërimit të votave. LSI-ja është për metodën “Hare”, që është shprehje e korrektimit kombëtar, ndërkohë që PS-ja përkrah metodën “D’hont” të numërimit të votave. Element i dytë, por shumë i rëndësishëm, është përbërja e komisioneve të numërimit të votave. LSI kërkon me insistim përfaqësimin në komisione të çdo subjekti konkurues në zgjedhje, ndërkohë që nga ana tjetër në media është folur se propozimi i PS-së për komisionet e numërimit të votave synon përfaqësimin vetëm të dy partive të mëdha, dhe me ekspertë dhe punonjës të administratës. Këto dy elementë, përveçse përbëjnë diferencat midis PS-së dhe LSI-së për Kodin e ri Zgjedhor, po aq janë të rëndësishëm edhe në arritjen e marrëveshjeve midis tyre.
Të përbashkëtat
Në qëndrimet dhe propozimet për hartimin e Kodit të ri Zgjedhor sigurisht që mund të gjenden edhe pika të përbashkëta midis Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ndër to, elementët e rëndësishëm kanë të bëjnë me hartimin e listës së zgjedhësve dhe pajisjes së shqiptarëve me kartat e identitetit. Madje këto dy çështje kanë qenë vazhdimisht edhe kushtet e vendosura nga Partia Socialiste në drejtim të maxhorancës për të bashkëpunuar për realizimin e reformës zgjedhore. Nga ana tjetër, lista e zgjedhësve dhe pajisja me kartat e identitetit kanë qenë vazhdimisht çështje, për të cilat Lëvizja Socialiste për Integrim ka ngritur zërin në mënyrë të vazhdueshme, ndaj ecurisë së dobët dhe problemeve që ka shkaktuar angazhimi aspak serioz i qeverisë për të përmbushur këto dy elementë mjaft të rëndësishëm të reformës zgjedhore.
Pikat e LSI-së për Kodin e ri Zgjedhor
1. Pjesëmarrja në procesin e numërimit të votave të çdo subjekti konkurrues
2. KQZ-ja të përbëhet nga përfaqësues të çdo subjekti konkurrues
3. Numërimi i votave të bëhet me metodën “HARE”
4. Aplikimi i sistemit kombëtar të korrektuar do të eliminonte pjesërisht efektin “Dushk”
5. Partitë që kalojnë pragun elektoral kombëtar të kenë mundësinë që të përfaqësohen në parlament
6. Procesi i numërimit të votave të zëvendësohet numërimi manual me numërimin elektronik
7. Hartimi i listave të zgjedhësve dhe dokumente identifikimi të njësuara në të gjithë territorin dhe pa gabime
Pikat e PS-së për Kodin e ri Zgjedhor
1. Reduktim i përbërjes së komisioneve të numërimit të votave
2. Reduktim i përbërjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve
3. Numërimi i votave të bëhet me metodën “D’Hont”
4. Aplikimi i thjeshtë i sistemit proporcional rajonal
5. Procesi i numërimit të votave të zëvendësohet numërimi manual me numërimin elektronik
6. Hartimi i listave të zgjedhësve dhe dokumente identifikimi të njësuara në të gjithë territorin dhe pa gabime
16 Gusht 2008