Administratori i kazinosë, i dyshuar për vrasjen e kambistit
Zbardhet emri i personit që dyshohet për vrasjen e kambistit Astrit Cubaj, i cili, prej dy netësh, ndodhet në qeli pasi është arrestuar për një tjetër vepër penale. Burimet nga grupi hetimor shpjeguan se bëhet fjalë për Eno Hoxhën, 26 vjeç, që akuzohet për vjedhje me anë të mashtrimit në kazinonë ku punonte. Sipas policisë, Hoxha u arrestua natën kur u vra Astrit Cubaj, pasi denoncoi në polici se dy persona të maskuar dhe me armë kishin grabitur 110 mijë lekë në kazinonë që punonte si administrator. Policia shpjegoi se, pas hetimeve të kryera, rezultoi se në kazinonë "Admiral Club" nuk ka pasur asnjë grabitje, por Hoxha i kishte vjedhur paratë dhe kishte bërë kallëzim të rremë. Kjo u vërtetua edhe pasi iu gjetën paratë në makinën e tij. Sipas të dhënave hetimore, ai dyshohet se e ka kryer këtë akt për të humbur gjurmët nga grabitja me pasojë vrasjen e kambistit Astrit Cubaj, që kishte ndodhur pak orë para arrestimit të Hoxhës. Dyshimet janë shtuar më shumë për këtë person edhe nga dëshmia e një personi që ka parë ngjarjen dhe ka treguar se një nga autorët i ngjante 26-vjeçarit. Veç këtyre dyshimeve, policia shpjegoi se Cubaj njihej me Hoxhën. Duke u nisur nga këto të dhëna, grupi hetimor ka kërkuar tabulatet e telefonit të Eno Hoxhës për të parë gjithë komunikimet e asaj dite dhe për të vërtetuar nëse ai ka qenë pjesëmarrës në grabitje, si dhe për të gjetur prova të mjaftueshme për të gjithë autorët e këtij krimi të rëndë. Policia shpjegoi më tej se në gishtat e të dyshuarit është gjetur barut, që mund të ketë mbetur nga shkrepja e armës. Megjithatë, të gjitha mbeten thjesht dyshime dhe pa pasur prova të forta, organi i prokurorisë nuk mund të ngrejë akuzë ndaj tij. Nga ana tjetër, policia ka vënë shpërblim 20 mijë euro për informatorin që mund të çojë në identifikimin e autorëve të ngjarjes së rëndë, duke siguruar për ruajtjen e anonimitetit. Astrit Cubaj, me profesion mësues dhe punë kambist, u vra ditën e diel, rreth orës 14:30, kur po kthehej në banesë. Ai u qëllua nga dy persona të rinj, të cilët e kishin ndjekur për ta grabitur. Më pas, ata u larguan nga vendngjarja me një makinë të zezë pa targa, duke u munduar të humbin gjurmët. Policia ka arritur të gjejë një sërë gjurmësh në vendngjarje dhe i ka regjistruar në dosjen që aktualisht po hetohet nga sektori i vjedhjeve me dhunë dhe armë.