Admir Thanza betohet te Presidenti
Anëtari më i ri i Gjykatës Kushtetuese, Admir Thanza, është betuar dje në Presidencë pas miratimit të tij në Kuvend, duke i dhënë formë këtij institucioni. Ashtu siç e përcakton Kushtetuta, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka drejtuar ceremoninë zyrtare të betimit të anëtarit më të ri të Gjykatës Kushtetuese, ceremoni e zhvilluar në mjediset e Pallatit të Brigadave. Zyra e shtypit të Presidencës bën të ditur se të pranishëm në këtë ceremoni kanë qenë kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo, dhe anëtarë të tjerë të kësaj gjykate, si dhe anëtarë të kabinetit të Presidentit të Republikës. Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit të emërimit, si dhe të formulës së betimit nga këshilltari për Çështjet Ligjore të Presidentit të Republikës, Artur Metani, me dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë, Thanza bëri betimin para Presidentit të Republikës, Bamir Topi, i cili nga ana e tij i shprehu urimet më të mira për përmbushjen me sukses të detyrës së lartë dhe me shumë përgjegjësi.