Miratohet buxheti i Këshillit të Qarkut për vitin 2009
Miratohet buxheti i Këshillit të Qarkut Durrës për vitin 2009. Ashtu si edhe pritej nuk ka pasur surpriza a debate në miratimin e projekt-buxhetit të paraqitur dje në këtë nivel të pushtetit vendor. Kryetari i Këshillit, Seid Kërtusha, deklaroi se buxheti i vitit 2009 arrin në 163.8 milionë lekë dhe se është më i madh se ai i një viti më parë. Grandi i akorduar këtë vit nga qeveria për Qarkun e Durrësit kap vlerën e 62.3 milionë lekëve, të cilave do t‘u shtohet dhe ajo pjesë e grandit të papërdorur gjatë vitit 2008. Ndërkaq, të ardhurat e planifikuara për këtë vit parashikohen të jenë rreth 31 milionë lekë. Për këtë vit janë planifikuar 2.5 herë më shumë investime se një vit më parë. Janë rreth 55.5 milionë lekë dhe sipas Kërtushës, do të përdoren për investime dhe prioritet mbetet vazhdimi i hartimit të politikave lokale e rajonale në funksion të zhvillimit ekonomik rajonal, duke rritur, forcuar e kualifikuar kapacitetet administrative për të përballuar sfidat e konkurrimit në përfitimin nga projektet vendase e të huaja. Në buxhet është parashikuar edhe rikonstruksioni i godinës së Këshillit dhe financimi i studimeve e projektimeve në sektorë të ndryshëm, ndërsa në sektorin e arsimit do të punohet në drejtim të decentralizimit dhe formimit të arsimit profesional në nivel rajonal.