E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpronësimet në Shkodër, dëmshpërblimi vonohet dy vjet

Problemi i shpronësimeve e ka ndarë qytetin e Shkodrës në dy pjesë. Në një pjesë të qytetit, ata të cilëve u preket prona nga investimet në infrastrukturë janë treguar tolerantë, duke lënë bashkinë të punojë, ndërsa në një pjesë tjetër të qytetit, pronarët nuk kanë lejuar të bëhen ndërtime, siç është rasti i unazës së qytetit. Ata që lejojnë punimet ankohen tani se nuk po marrin paratë që u takojnë për pronën e shpronësuar, ndërsa ata që nuk lejojnë punimet thonë se nuk duan të përfundojnë si të parët.

Të pashpërblyerit

Në segmentin Sarreq-Skënderbeg, rruga është ndërtuar sipas të gjitha parametrave bashkëkohorë me trotuare, gjelbërim dhe ndriçim. Por, pronarët e tokave që janë shpronësuar për ndërtimin e kësaj rruge ende nuk kanë marrë asnjë para dëmshpërblim, edhe pse punimet kanë përfunduar para dy vjetësh. Banorët janë të revoltuar, pasi lejuan që t‘u prishen shtëpitë dhe bizneset me dëshirën për të ndryshuar qytetin, por tani ndihen të zhgënjyer. Adelina Simoni, një nga personat e prekur nga zgjerimi i rrugës, thotë se i është prishur një pjesë e shtëpisë dhe dyqani. "Ka dy vite që shtëpia dhe biznesi im janë shkatërruar dhe më është dashur të sakrifikoj, duke marrë kredi që t‘i ndërtoj sërish nga e para dhe duke u zhvendosur më në brendësi të pronës. I kam paguar të gjitha detyrimet bashkisë si qytetare dhe si biznesmene, ndaj nuk është aspak normale që institucionet që e kanë për detyrë të na dëmshpërblejnë, të mos na japin atë çfarë na takon", tregon gruaja, e cila tani mendon se është treguar naive kur lejoi bashkinë të prishte dyqanin e shtëpinë dhe ta caktonte vetë vlerën e dëmshpërblimit. I njëjti zhgënjim vërehet te të gjithë banorët e kësaj rruge. Marie Sarreqi thotë se për të ndërtuar shtëpinë e prishur nga bashkia ka marrë borxhe që ende po i paguan. "Nuk po gjejmë rrugëzgjidhje. Na ka mbetur vetëm të bllokojmë rrugën", thotë Maria. Nga zgjerimi i rrugës Sarreq-Skënderbeg janë prekur 12 familje, të cilat duhet të dëmshpërbleheshin për një sipërfaqe 288 m2, me një vlerë prej 8 milionë lekësh të rinj.

Të pabindurit

Një situatë krejt e kundërt është në unazën e qytetit. Këtu punimet për rikonstruksion dhe zgjerimin e rrugës kanë ngecur, pasi banorët nuk pranojnë t‘u zihet prona pa marrë në dorë paratë e dëmshpërblimit. Pavarësisht se shtrimi me asfalt ka përfunduar, pothuajse në të gjithë unazën, një segment prej 500 metrash është ende me gropa dhe gati të pakalueshme. Aktualisht, familjet që kanë pronat në pjesën ku do të kalojë unaza janë duke zhvilluar procese gjyqësore, pasi nuk janë dakord me masën e dëmshpërblimit që ka përcaktuar bashkia për pronat e tyre. Ata e panë çfarë ndodhi me ata që u treguan bashkëpunues me bashkinë, ndaj kanë vendosur të mos lëshojnë pe.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›