E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Studentët" rrezikojnë konsensusin PD-PS

Ligji për Gjendjet Civile ka shkaktuar debate të shumta dje në Komisionin e Ligjeve. Deputetët e opozitës kanë kundërshtuar nenin 14 të këtij ligji, duke theksuar se nëse ai miratohet në formën e servirur nga qeveria "hedh në erë" procesin zgjedhor, duke rrezikuar kështu edhe konsensusin e arritur mes PD-së dhe PS-së në reformën zgjedhore. Deputeti i PS-së në Komisionin e Ligjeve, Blendi Klosi, në relacionin e tij ka shpjeguar pse opozita është kundër nenit 14 të këtij ligji, duke kërkuar çeljen e konsultimeve me PD-në, me qëllim gjetjen e një formule të pranueshme për të gjithë. Sipas nenit 14 të draftit për projektligjin për gjendjen civile, institucionet shtetërore ligjërohen të bëjnë regjistrimin e shtetasve me të drejtë vote edhe në qytetet ku ata banojnë përkohësisht, por ku nuk figurojnë të kenë pasaportizimin e tyre. Më konkretisht, Klosi ka theksuar se neni 14 bie ndesh me Kodin Zgjedhor, në të cilin thuhet se studentët do të votojnë në vendbanimet e tyre, pra aty ku ata kanë shtëpitë. Ndërsa sipas nenit 14 të projektligjit, studentët janë të detyruar që për periudhën kur ata janë në shkollë, të regjistrohen jo me vullnetin e tyre, por nëpërmjet institucioneve arsimore në regjistrat themeltarë të njësive ku kryejnë studimet dhe rrjedhimisht do të votojnë në këto njësi vendore. Sipas deputetëve të PS-së, neni 14 bie ndesh edhe me Kushtetutën e Shqipërisë dhe me Kodin Civil. Por pavarësisht vërejtjeve për nenin 14, relatori i PS-së, Blendi Klosi, ashtu edhe deputetët e tjerë të opozitës në Komisionin e Ligjeve e kanë vlerësuar në parim paraqitjen e këtij projektligji në kuadër të reformimit të sistemit të gjendjes civile, si dhe të këtij shërbimi, si shërbim shtetëror që u ofrohet shtetasve të tij, me qëllim lehtësimin e procedurave për pajisjen me dokumente të gjendjes civile si certifikata lindjeje, vdekjeje, martese, trungu familjar etj. Më tej Klosi tha se në lidhje me heqjen nga përdorimi të formës manuale të mbajtjes së Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile dhe futjen e teknikave të përparuara informatike, që në relacionin e Këshillit të Ministrave paraqitet si risi për këtë ligj, projektligji në fakt ka karakter delegues dhe rregullimin e këtij procesi ia delegon Këshillit të Ministrave, duke mos vendosur rregullimet bazë në ligj. Për sa i përket përmbajtjes së neneve të projektligjit, deputeti Blendi Klosi ka konstatuar se projektligji lë shumë për të dëshiruar për sa i përket strukturimit të kapitujve dhe përdorimit të termave. Mjaft terma dhe koncepte përdoren në mënyrë alternative, megjithëse kanë kuptim të ndryshëm. Ai ka renditur gjashtë pikat kryesore të cilat duhet të rishikohen, por këmbëngulja më e madhe ka qenë ai për nenin 14. Pretendimet e deputetit të opozitës janë pranuar deri diku nga mazhoranca, e cila ka kërkuar që ky ligj të miratohej në parim dhe më pas gjatë diskutimit nene për nen të diskutoheshin ndryshimet e propozuara nga opozita. Por opozita ka kërkuar të marrë sigurinë publike ende pa u miratuar në parim projektligji se neni 14 do të ndryshohej, siguri e cila nuk është dhënë hapur nga mazhoranca, të cilët me 9 vota pro kanë miratuar parimisht projektligjin, ndërkohë që deputetët e PS-së as e kanë kundërshtuar dhe as e kanë abstenuar ligji, thjesht kanë qëndruar në sallën e Komisionit të Ligjeve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›