E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Dublikimet" mbajnë peng ndarjen e mandateve

Dublikimet në regjistrin e shtetasve mbajnë peng projektligjin për ndarjen e mandateve të deputetëve në 12 qarqet e vendit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka arritur dje ta kalojë vetëm në parim një projektvendim të përgatitur. Përfaqësuesit e partive politike kërkuan që të njihen me të dhënat e Ministrisë së Brendshme në raport me regjistrin e shtetasve. Genc Gjonçaj, përfaqësuesi i Partisë Socialiste tha se nga përgatitja e projektvendimit deri te diskutimi në KQZ ishte një interval i shkurtër kohe dhe në këtë mënyrë do të duhen disa ditë për ta shqyrtuar. Në të njëjtën linjë ka qenë edhe përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Njazi Kosovrasti, sipas të cilit nëse nuk cenohen afatet mund të shtyhet diskutimi i këtij projektvendimi. "Po mundohemi të kapim kohën në mënyrën më urgjente. Nga ana tjetër, për këtë akt jemi me vonesë, por për shkak të kësaj kërkese dhe të cilësisë së aktit mendoj ta kalojmë në votim në parim", propozoi në mbledhje kryetari i Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani. Sakaq, burimet nga Ministria e Brendshme sqarojnë se listat janë drejt përfundimit dhe shumë shpejt do t‘i dërgohen institucionit të menaxhimit të zgjedhjeve. Ndërkohë, pretendohet se elementi që mban peng ndarjen e mandateve është numri i lartë i publikimeve. Siç është raportuar dhe pranuar publikisht, ekzistojnë rreth 50 mijë emra të regjistruar dy herë në regjistrin kombëtar të shtetasve. Nisur nga formulat e llogaritjes së mandateve të deputetëve një shifër e tillë mund të shndërrohet në një numër të konsideruar mandatesh. Duke ndikuar kështu në raportet numerike në pjesën veriore të Shqipërisë, atë jugore dhe qendrën. Pas propozimit të kryetarit Ristani, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kaloi në votimin në parim të projektvendimit, duke marrë shtatë vota ‘pro‘. Sipas projektvendimit në zgjedhjet e ardhshme të 28 qershorit 2009, kryeqyteti i Shqipërisë me popullsi 992.118 shtetas do të ketë 32 deputetë. Pas tij vjen Qarku i Fierit me numër popullsie 488.439 shtetasish dhe përkatësisht 16 mandate deputetësh. Në vend të tretë për nga shpërndarja e mandateve vjen Qarku i Elbasanit me 426.903, shtetas dhe 14 mandate deputetësh. Pas tij renditet Qarku i Durrësit me popullsi 404.321 shtetas dhe 13 mandate ligjvënësish. Qarku i Korçës ka në janar 2009 popullsinë prej 356.377 shtetasish dhe i takojnë 12 deputetë; Qarku i Shkodrës me 338.744 shtetas dhe 11 mandate deputetësh; Qarku i Beratit me 235.857 shtetas dhe tetë mandate deputetësh; Qarku Lezhë me 214.249 shtetas dhe përkatësisht me shtatë deputetë; Qarku Dibër ka 187.239 shtetas dhe gjashtë mandate deputetësh. Në fund të listës janë Qarku i Gjirokastrës me 163.492 shtetas dhe pesë deputetë; Qarku i Kukësit ka 116.394 shtetas dhe katër deputetë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›