E Shtunë, 31 Tetor 2026

I dehuri vetëvritet në sy të gruas

Një 56-vjeçar nga Lushnja është vetëvrarë pasditen e së hënës me armën e gjahut, të cilën e mbante pa leje. Burimet policore tregojnë se 56-vjeçari ishte i alkoolizuar dhe në gjendje të dehur kishte tentuar edhe herë të tjera vetëvrasjen. Burimet policore të Komisariatit të Lushnjës tregojnë për gazetën "Shqip", se Bashkim Koçi, lindur e banues në Karbunarë të Lushnjës, rreth orës 16.35 minuta të pasdites së djeshme, ka marrë armën e gjahut të tipit çifte dhe e ka shkrehur në kokë. Shkrehja e dy saçmave në pjesën e fytyrës ka qenë fatale për 56-vjeçarin, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Burimet zyrtare policore tregojnë se aktin e vetëvrasjes 56-vjeçari Koçi, babai i tre fëmijëve e ka kryer në praninë e bashkëshortes, e cila nuk ka mundur ta ndalojë. Bashkëshortja ka treguar për grupin e hetimit, se Bashkimi gjatë gjithë ditës së djeshme kishte qenë jashtë shtëpisë dhe ishte kthyer rreth orës 15.00 në gjendje të dehur. Sikur të mos mjaftonte pija jashtë, ai kishte filluar të pinte edhe në shtëpi. Rreth orës 16.00, pasi ka dalë në ballkon, 56-vjeçari ka marrë çiften dhe ka thënë se do të vriste veten. Bashkëshortja nuk e ka menduar se i shoqi e kishte seriozisht, por sapo ajo ka kthyer krahët ai e ka shkrehur armën. Gruaja ka kërkuar më pas ndihmën e të afërmve, të cilët kanë kryer transportin për në spital të të vetëvrarit, por gjithçka ka qenë e kotë. Policia që ka shkuar në vendngjarje dhe ka kryer ekspertizën mjekoligjore të kufomës, ka pohuar se bëhet fjalë për një vetëvrasje.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›