E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sllovenia ratifikon protokollin e NATO-s me Shqipërinë

Parlamenti i Sllovenisë ka ratifikuar dje protokollin e NATO-s për anëtarësimin e Shqipërisë. Deputetët sllovenë kanë dhënë 78 vota pro ratifikimit të Shqipërisë në protokollin e NATO-s, duke u renditur kështu vendi i 21. Vota pro protokollit vjen pas një sërë debatesh brenda politikës së këtij vendi. Aktualisht kanë mbetur ende 5 vende pa ratifikuar protokollin, si: Islanda, Portugalia, Belgjika, Greqia dhe Holanda. Javën e shkuar, Sllovenia nuk e miratoi protokollin për Shqipërinë dhe Kroacinë për shkak të kundërshtimit të Partisë Demokratike Sllovene, të Janez Janshës, i cili kërkonte deklarimin lidhur me raportin financiar për vitin 2007. Mosmiratimi i protokollit kishte lidhje dhe me kontestimin kufitar midis Sllovenisë dhe Kroacisë, si dy ish-republika jugosllave. Por Kryetarja e Kuvendit, Topalli, para pak ditësh tha se Sllovenia i kishte dhënë garancinë se do ta ratifikonte protokollin e NATO-s me Shqipërinë, pasi me vendin tonë nuk kishte asnjë problem. Premtim i cili u mbajt dhe dje u kurorëzuar me 78 vota pro. Menjëherë pas votimit të djeshëm nga salla e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka shprehur falënderime për Kryetarin e Parlamentit slloven, Pavel Gantar.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›