Adoleshentët në punë vullnetare?
Vullnetar për punë në komunitet. Kjo frazë pak vite me parë do të vriste veshin e shumë njerëzve, ndërsa mendja do tu shkonte menjëherë tek aksionet e famshme vullnetare të kohës së komunizmit. Por duket se një gjë e tillë nuk po shihet më me aq skepticizëm, ndërkohë që po praktikohet gjithnjë e më shpesh nga gjimnazisët. Për më tepër, duket se edhe mendësia po ndryshon, duke u konsideruar si veprimtari në dobi të të gjithëve.
Puna vullnetare në gjimnaze është kthyer në një detyrim. Kjo, pasi me rregulloren e maturës së re shtetërore duhet që çdo nxënës të bëjë 18 orë punë vullnetare në komunitete që të futet në provimet e maturës shtetërore. Nga ana e tyre, vetë gjimnazistët tregojnë se kanë bërë më shumë orë punë në komunitet me shumë dëshirë. Kristiani, Enxhi, Elpita, Ina dhe Xhesiana janë pesë vullnetarët e gjimnazit Qemal Stafa, të cilët nuk e kursejnë kurrë ndihmën e tyre në të mirë të komunitetit sa herë që iu kërkohet.
Rrëfimet
Gjimnazistët rrëfejnë për gazetën Shekulli disa nga përvojat e tyre si vullnetarë të komunitetit.
Mendoj se jemi ndier shumë të vyer për atë që kemi bërë, sidomos kur ishin përmbytjet në Shkodër. Secili nga ne ka paketuar rreth 300 pako me ndihma ushqimore për të përmbyturit. Kuptohet se ne raste të tilla ndjenja e vullnetarizmit të rritet edhe më shumë, pohon Kristian Lame, nxënës në vitin e 3-të të gjimnazit Qemal Stafa.
Ndërsa bashkëmoshatarja e tij, Enxhi Tabaku, thekson se vullnetarizmi apo puna në komunitet tashmë ka nisur të shikohet prej tyre si një detyrim personal dhe jo shkollor. Një detyrim i tillë, sipas saj, do të ishte pozitiv për çdo qytetar, sidomos kur bëhet fjalë për mjedisin, megjithëse thekson se shoqëria jonë rrallëherë e vlerëson punën në komunitet, madje shpesh ata ndihen edhe të paragjykuar. Një ditë vendosëm që ne nxënësit e shkollës të dilnim dhe të lyenim me gëlqere pemët buzë rrugës. Një mesogrua shumë e krekosur më tha duke më nënqeshur: Lyeje mirë, goce, lyeje edhe njëherë. Sigurisht që nuk u ndjeva mirë, por fill pas kësaj ndodhie erdhi një gjysh dha na uroi, ndërsa tha se kishte vite që nuk shikonte të rinj duke punuar në komunitet, rrëfen Enxhi.
Ndërsa Elpita Kola vlerësoi si një ndër punët më të mira bashkëpunimin me Kryqin e Kuq ku kishin mësuar se si duhet të jepnin ndihmën e parë dhe sa e rëndësishme ishte të dhuroje gjak. Nuk do ta kisha bezdi të punoja edhe me të sëmurët. Ne jemi trajnuar se si të mbrojmë veten dhe të ndihmojmë të tjerët. Është vërtet bukur kur di të kontribuosh për shoqërinë, pohon Elpita.
Idetë
Në fakt, ajo çfarë të bën më shumë përshtypje është fakti se këta të rinj dalin edhe me propozime disi interesante. Mendoj se puna në komunitet apo vullnetarizmi duhet të jetë si shembull edhe nga njerëzit e njohur si politikanët dhe artistët. Tashmë në vendet e zhvilluara njihet praktika e punës në komunitet të VIP-ave, sidomos kur këta shkelin ligjin. Në një rast të tillë nga gjykata janë detyruar ta shlyejnë dënimin me disa orë pune në komunitet. Tashmë ka ardhur koha që çdokush të jetë i përgjegjshëm dhe të mos e shohë vullnetarizmin si diçka të gabuar, por si një veprimtari pozitive në të mirë të gjithëve, pohon nxënësja Ina Leka.
Gjithashtu, adoleshentët vlerësuan edhe faktin se puna që bëjnë në komunitet, i pajis ata jo vetëm me një përvojë të re, por edhe me ndonjë certifikatë që mund tju duhet nesër në jetë. Të rinjtë theksojnë se vullnetarizmi nuk duhet të futet në shoqëri thjesht si një detyrim, por duhet që të rritet ndërgjegjësimi që e gjithë shoqëria të bëjë punë vullnetare në komunitet.
Drejtoresha: Vullnetarizmi i bën më të përgjegjshëm
Puna në komunitet rrit përgjegjshmërinë tek nxënësit dhe i përgatit ata për një të nesërme më të sigurtë. Kështu u shpreh drejtoresha e gjimnazit Qemal Stafa, Mirela Berisha, e cila theksoi se shkolla e saj ka 2 vjet që praktikon punën në komunitet. Mendoj se në fillim nxënësit nuk e merrnin me qejf punën në komunitet, por duhet të dini se sot ndodh ndryshe. Ata jo vetëm e pranojnë, por janë të gatshëm sa herë që bëhet fjalë për ndonjë rast vullnetarizmi. Kjo i bën ata më të përgjegjshëm dhe ka vërtet vlera pozitive, pohon Berisha.
18 orë punë të detyrueshme në komunitetet duhet të bëj çdo maturant që të marrë diplomën
10 për qind të totalit të krediteve ka puna në komunitet nga maturantët të cilat janë të detyrueshme
90 kredite duhet të ketë çdo maturant që të pranohet për provimet në universitet
73 kredite kanë në total blloku i lëndëve bërthamë të detyrueshme për maturantët
Shërbimi komunitar, i detyrueshëm për maturantët
E kush do ta mendonte se shërbimi komunitar do të ishte i detyrueshëm për çdo maturant dhe askush nuk do të mundej ta merrte diplomën e shkollës së mesme dhe aq më tepër të pranohej në universitet nëse nuk kishte kryer shërbimin komunitar?!
Puna vullnetare është me detyrim për të gjithë nxënësit, pa asnjë dallim. Edhe një fëmijë deputeti a ministri, edhe fëmijët e punëtorëve të thjeshtë do të kryejnë me detyrim shërbim komunitar, pohojnë specialistët e arsimit, duke shtuar se ky shërbim do të jetë plot 18 orë.
Më tej shpjegohet se shërbimi komkunitar i nxënësit është veprimtari konkrete e kryer nga nxënësit jashtë orarit mësimor, pa shpërblim financiar, në dobi të njerëzve në nevojë (të sëmurëve, të droguarve, handikapëve, jetimëve, të varfërve, të papunëve, të moshuarve, fëmijëve etj.) apo në shërbim të komunitetit (mbrojtja e mjedisit nga ndotja dhe organizimi i veprimtarive sociale e komunitare).
Sipas ekspertëve të arsimit, synimi i shërbimit komunitar është të përforcojë përgjegjësitë e nxënësit si individ i një komuniteti dhe objektivat e përgjithshme të shërbimit komunitar janë: formimi te nxënësit i prirjes për vullnetarizëm;
formimi i prirjes për tu përkujdesur për njerëzit në nevojë;
ndërgjegjësimi për nevojat e komunitetit;
informimi rreth përpjekjeve për kujdes social në komunitet;
të ndjerët të vlefshëm për komunitetin.
Shërbimi komunitar mund të kryhet pranë një organizate jofitimprurëse, në institucionet publike, si: spitalet, çerdhet, kopshtet, azilet etj. Komisioni i shërbimit komunitar siguron për nxënësit informacion të mjaftueshëm për shërbimet e mundshme komunitare, shqyrton dhe miraton shërbimet komunitare të propozuara nga vetë nxënësit, harton një listë për shërbimet e ndryshme komunitare, pohojnë ekspertët e arsimit.
Komisioni i shërbimit komunitar:
- siguron për nxënësit informacione të majftueshme për shërbimet e mundshme komunitare
- shqyrton dhe miraton shërbimet komunitare të propozuara nga vetë nxënësit/prindërit të cilët nuk përfshihen në listën e ofruar nga shkolla
- harton listë për shërbimet e mundshme komunitare dhe ua ofron nxënësve në formën e një menuje, përfshirë edhe propozimet e miratuara të nxënësve dhe prindërve
Mësuesi përgjegjës ka si detyrë:
- Të planifikojë dhe të realizojë orët mësimore të shërbimit komunitar, të cilat përfshihen në orarin mësimor
- Të vëzhgojë mirëkryerjen e nxënësit të veprimtarive të planifikuara
- Të shqyrtojë plotësinë dhe saktësinë e dëshmive për shërbimet komunitare të nxënësve
Programi i edukimit seksual në shkolla
Vajzat shqiptare e nisin jetën seksuale që në moshën 13-vjeçare. Kjo e dhënë doli nga një raport i Institutit i Shëndetit Publik, ku evidentohet frikshëm ulja e moshës përs
