E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkëlzen e Argita Berisha: Sajmir Tahiri na cenoi nder e dinjitet

Denis Dedej

Dy fëmijët e kryeministrit Berisha, Argita dhe Shkëlzeni, të cilët kërkojnë në gjykatë 80 milionë lekë të vjetra nga deputeti Sajmir Tahiri kanë deklaruar në padinë e tyre se u është cenuar nderi dhe besimi që kanë krijuar tek ta rrethi i gjerë i njerëzve që i njohin. Të paktën kjo shkruhet në padinë e depozituar në gjykatën e Tiranës, një kopje të së cilës ka marrë dje Shekulli. Padia prej gjashtë faqesh nis me një biografi të shkurtër që kanë bërë për veten e tyre fëmijët e kryeministrit dhe përfundon me kërkesën për 80 milionë lekë të vjetra, nga 40 milionë secili.

Paditësja, Argita Malltezi është pedagoge në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës dhe e bija e Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Sali Berisha. Ajo gëzon një reputacion të lartë, veçanërisht e njohur në fushën e jurisprudencës dhe drejtësisë në tërësisë, në lëmin akademik dhe atë të avokatisë, si për shkak të funksioneve që ka mbajtur ashtu edhe për ato që vijon të mbajë aktualisht. Shkëlzen Berisha është avokat dhe ushtron profesionin e avokatit pranë Dhomës së Avokatisë, Tiranë dhe është i biri i Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Sali Berisha, fillon padia e depozituar në gjykatë.

Sipas saj, pengu i dy fëmijëve të kryeministrit Berisha është fakti që më datë shtatë tetor Sajmir Tahiri ka qenë i ftuar në televizionin klan dhe ka deklaruar: …Sali Berisha është i korruptuar, i biri dhe e bija janë të përfshirë në korrupsion, familja e tij është e përfshirë…. Deklarata të tilla përbëjnë akuza të forta në drejtim të paditësve dhe ato nuk janë shoqëruar me fakte, të cilat ashtu si deklaratat duhet ti tregohen nëpërmjet të njëjtave mjete që u përhapën akuzat, publikut të gjerë. Për rrjedhojë ato përbëjnë shpifje publike dhe fyerje për paditësit duke i cenuar ata në nderin, personalitetin dhe emrin e mire (reputacionin) që gëzojnë,- thuhet në padi.

Fëmijët e Berishës pretendojnë se Tahiri ka përhapur fakte të pavërteta rreth tyre dhe këtë e ka bërë me qëllim cenimin e nderit dhe personalitetit. Për këtë arsye Shkëlzen Berisha dhe Argita Malltezi thonë se gjendja e tyre shpirtërore është turbulluar në mënyrë të padrejtë dhe u është cenuar nderi.

Pjesën e cenimit të nderit, fëmijët e kryeministrit e shpjegojnë në këtë formë: Dëmi konsiston në cenimin e nderit të personalitetit duke cenuar jo vetëm ndjenjën që ata kanë për personin e tyre, por kanë ndikuar negativisht edhe në opinionin që të tjerët kanë për paditësit jo vetëm si persona të thjesht por, mbi të gjitha, si persona publik, duke dëmtuar, në këtë mënyrë, reputacionin dhe imazhin e tyre. Në këtë rast, krahas dhunimit të së drejtës themelore të paditësve për të zhvilluar një aktivitet normal jetësor dhe profesional, është cenuar edhe besimi që këta kanë fituar tek i gjithë publiku dhe veçanërisht tek rrethi i gjerë i personave në fushën akademike dhe profesionale përfshi këtu studentët, kolegët, klientët, bashkëpunëtorët në nivel kombëtarë dhe ndërkombëtarë etj.

Në këtë pikë ata kërkojnë nga gjykata që të vlerësojë maksimalisht fuqinë e mjetit të përdorur, konkretisht televizionit Klan. Sa më e madhe të jetë fuqia e mjetit të përdorur për përhapjen e informatave dhe fuqia e përhapjes së tyre, që cenojnë nderin dhe personalitetin, aq më i madh do të jetë edhe shpërblimi që duhet të paguajë shkaktuesi i këtij dëmi. Deklarata është bërë në emisionin “Zonë e Lirë”, që ka një audiencë të madhe në Shqipëri dhe jashtë saj, në televizionin Klan, -thuhet në padi.

Si e përshkruan veten vajza e kryeministrit

Paditësja Argita Malltezi është diplomuar me titullin “Juris Doctor”, fituese e “Medaljes së Artë”, me shkollim pasuniversitar në një prej universiteteve me prestigjioze të botës. Edhe pse është një myslimane praktikante, Argita Malltezi (Berisha) është diplomuar në universitetin katolik Katholieke Universitat Leuven, Belgjikë, ku ka marrë titullin Master në ligj. Ajo ka shënuar në padi se ka kryer specializim në Universitetin Robert Schuman dhe Qendrën Ndërkombëtare të Studimit për Pronësinë Industriale, Strasbourg, Francë. Ajo ka marrë pjesë në disa trajnime te ndryshme si dhe mban gradat shkencore “Profesor i Asociuar” dhe “Doktor”. Po ashtu, mban titullin “Avokat” dhe ushtron funksionin e pedagoges në Fakultetin e Drejtësisë. Ka ushtruar funksionin e pedagoges në Shkollën e Magjistraturës dhe në Fakultetin c Shkencave Sociale, si dhe ka ushtruar funksionet e Juristes ne Departamentin e Drejtësisë (DoJ), Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

Kush është Shkëlzen Berisha

Shkëlzen Berisha është me arsim të lartë, i diplomuar me titullin “Jurist” në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Si e motra, ai është mysliman praktikant, por ka kryer shkollim pasuniversitar në Katholieke Universitat Leuven, Belgjikë. Në 2003-2004 ka studiuar në Stockholm University ku ka marrë titujt Master në ligj. Prej vitit 2005 ushtron profesion e avokatit, ka themeluar dhe drejton zyrën e tij ligjore. Shkëlzen Berisha ushtron profesionin e avokatit. Ai kanë investuar vite të tëra studimi dhe kualifikimi profesional, -thuhet në padi.

Rama: Gjyqtarët japin vendime për llogari të Saliut

Kreu i PS-së, Edi Rama ka reaguar dje ndaj vendimeve të fundit të marrë nga Gjykata e Tiranës duke gjobitur deputetët socialistë. Duke i cilësuar vendimet si politike, Rama tha se gjykatat po përdorin dy standarde.

Sa padi janë ngritur në vite për shpifje nga ana jonë këtu? Nuk numërohen. Sa ndëshkime janë dhënë nga gjykatat e vendit. As edhe një! Madje është thënë e zeza mbi të bardhë nga këto gjykata se zotëria e zotërinjtë me gjithë zonjat e oborrit të tij, paskan qenë në krye të detyrës kur kanë shpifur dhe ndëshkimi ndaj tyre do të ishte një cenim i lirisë së shprehjes për shkak të detyrës, pa të cilën kjo detyrë nuk u bëka dot,- tha Rama. Ai ka shkuar edhe më tej në akuzat e tij duke përmendur me emër gjyqtarët që kanë dhënë dënimet dhe duke i akuzuar se po japin drejtësi të njëanshme. Kush janë atëherë Rezarta Balliu Vigani, Elona Gjoka, Fatri Islamaj apo Ergys Pëllumbi që veshur me togën e zezë japin vendime për llogari të Saliut dhe të klanit të tij të zhytur në korrupsion duke ndëshkuar me gjoba si të mafies deputetët e opozitës për fjalën e tyre të lirë në Kuvendin e Shqipërisë. Ku e gjejnë këta togëzinj dhe këto togëzeza kurajën të shkelin Kushtetutën, ligjin, etikën dhe të japin drejtësi me dy standarde katëcipërisht të kundërt. Shpifja qenka fjalë e lirë për Saliun dhe për pushtetin, ndërsa akuzat e bazuara mbi fakte qenkan shpifje të ndëshkueshme për opozitën,- akuzoi gjyqtarët Edi Rama. Sipas tij, ato gjoba mafioze gjykatësish që i shërbejnë pushtetit si mjete dhune mbi opozitën janë gjoba për gjithë grupin, për gjithë partinë, për gjithë opozitën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›