E Shtunë, 31 Tetor 2026

Adoleshentët nga 2009 vaksinë për hepatitin B

 

Vaksinë kundër hepatitit B për adoleshentët 15-18 vjeç. Duke nisur nga viti që vjen, kjo grupmoshë do të përfshihet për herë të parë në programin e ri të vaksinave. Veç tyre, do të përfitojnë edhe grupet e tjera të popullatës. Në mbarë vendin do të futen edhe një sërë vaksinash të tjera. Prioritet do t’i jepet gjithashtu, vendosjes së programit të vaksinimit ndaj gripit për grupet e rrezikuara të popullatës. Synohet rritja e mbulimit vaksinal të këtyre grupeve në 10% çdo vit. Gjithçka përfshihet në strategjinë Kombëtare të imunizimit për vitet 2009-2013. E prezantuar dje nga ministrja e Shëndetësisë Anila Godo dhe specialistët e Institutit të Shëndetit Publik, ajo synon zgjerimin e programit të imunizimit në popullatë. Gjatë takimit me përfaqësuesit e Organizatës Botërore të Shëndetit dhe UNICEF, Godo theksoi, se parandalimi i një sërë sëmundjesh arrihet pikërisht në sajë të vaksinimit kombëtar për grupet e ndryshme të popullatës. “Të gjithë aktorët, shtetërore ose jo, që janë përgjegjës apo kontribuojnë në ofrimin e shërbimeve të imunizimit, të jenë të ndërgjegjshëm për rëndësinë e kësaj strategjie”, tha Godo. Futja e vaksinës së Hib e përfshirë në atë pentavalente, që në fillim të vitit 2009 dhe Kontrolli i Hepatitit B në moshat 18 vjeç, si edhe grupet e riskut, duke ruajtur një mbulesë të lartë vaksinale dhe duke kryer fushata vaksinimi për fëmijët 15–18 vjeç, janë disa nga sfidat kryesore të strategjisë së re. Parashikohet gjithashtu, edhe testimi i grave shtatzëna për hepatitet virale. “Futja e vaksinës pemumokoksike në vitin 2010 dhe studime për kostoefektivitetin e saj. Kontributin që ajo do të japë në uljen e vdekshmërisë dhe sëmundshmërisë foshnjore së bashku me vaksinën kundër Hemofilus Influenzae B (Hib), është një tjetër synim i yni”, theksuan specialistët. Një tjetër pikë e strategjisë është edhe  përforcimi i survejancës laboratorike, të bazuar në rastin e sëmundjeve të parandalueshme nga vaksinat në të gjithë prefekturat e vendit.

Strategjia e Vaksinimit

Futja e vaksinës së Hib e përfshirë në atë pentavalente, që në fillim të vitit 2009.

Kontrolli i Hepatitit B në moshat 18 vjeç, si edhe grupet e riskut, duke ruajtur një mbulesë të lartë vaksinale dhe duke kryer fushata vaksinimi për fëmijët 15–18 vjeç.

Testimi i grave shtatzëna për hepatitet virale. Ndërtimi i strategjisë kombëtare të kontrollit të hepatiteve.

Parashikohet për futjen e vaksinës së Hepatitit A në vitin 2012, si pasojë e ndryshimit të profilit epidemiologjik të kësaj sëmundjeje drejt adoleshentëve dhe të rinjve.

Futja e vaksinës pemumokoksike në vitin 2010 dhe studime për kosto-efektivitetin e saj. Kontributin që ajo do të japë në uljen e vdekshmërisë dhe sëmundshmërisë foshnjore së bashku me vaksinën kundër Hemofilus Influenzae B (Hib)

Futjen e vaksinës ndaj infeksioneve nga Rotavirus, në vitin 2011. Perforcimin e survejancës ndaj tyre në vitet 2009–2011, duke kontribuar në uljen e sëmuendshmërisë gastrointestinale foshnjore dhe feminore, si edhe uljen e vdekshmërisë.
   
Vendosjen e programit të vaksinimit ndaj gripit për grupet e rrezikuara të popullatës dhe rritjen e mbulimit vaksinal të këtyre grupeve në 10% çdo vit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›