E Diel, 1 Nëntor 2026

Firmoset marrëveshja, komunitetet fetare do të përjashtohen nga taksat

 

Bashkësitë fetare do të përjashtohen nga taksat, ndërkohë që qeveria angazhohet për kthimin dhe kompensimin e pronave, si dhe parashikon hartimin e një ligji mbi financimin e bashkësive fetare nga shteti, duke u bazuar në përvojën evropiane. Qeveria nënshkroi dje tre marrëveshje me Komunitetin Mysliman, Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe Kryegjyshatën Botërore Bektashiane. Duke folur në ceremoninë e djeshme, kreu i qeverisë u shpreh: “Qeveria ka bërë përpjekje për restaurimin e institucioneve të kultit. Më të mëdha do të jenë ato. Ne do të restaurojmë, ne do t`ia rikthejmë kombit vlerat që u rrënuan. Isha në Berat dhe kam porositur që të rindërtohen të gjitha kishat e Mangalenit, xhamitë dhe teqetë. Ne do t`i rikthejmë vendit të gjitha vlerat e rrënuara, do t`i rindërtojmë ato, sot kemi 2 milionë, më shumë do të kemi nesër dhe më shumë do të vendosim. Me një projekt të infrastrukturës së bregut, orientimi kryesor është rindërtimi i institucioneve të kultit”. Duke përshëndetur nënshkrimin e marrëveshjes, kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Haxhi Selim Muça, e konsideroi atë “një eveniment të rëndësishëm dhe të shumëpritur në fushën e zhvillimit fetar në vendin tonë. Sipas tij, “marrëveshja bazohet mbi të drejtat kushtetuese që garantojnë lirinë e shfaqjes dhe ushtrimit të fesë dhe bindjeve fetare dhe rregullon çështjet themelore të njohjes, si dhe të marrëdhënieve të bashkëpunimit midis shtetit dhe komuniteteve fetare”. “Ky akt është një kontribut jo vetëm në shërbim të komuniteteve fetare, por edhe të shoqërisë në tërësi. Ai i jep komuniteteve fetare atë statut dhe personalitet juridik të munguar ndër vite, si dhe i shërben përsosjes së vlerave të trashëgimisë fetare në vendin tonë”, tha ai. Ndërsa Fortlumturia e tij Anastasi, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, në fjalën e tij vlerësoi se “Kushtetuta e Shqipërisë, e cila u miratua në vitin 1998, është një nga më të mirat e Ballkanit, veçanërisht për sa i takon lirisë fetare”. “Megjithëse shteti është laik, ai njeh faktin se komunitetet fetare kanë një rol të rëndësishëm në shoqëri dhe japin kontributin e tyre, jo vetëm në bashkekzistencën paqësore fetare, por edhe në një atmosferë të përgjithshme tolerance, mirëkuptimi, drejtësie dhe paqeje”, tha Kryepeshkopi Anasatas. Duke e konsideruar marrëveshjen e sotme “akt historik”, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Reshat Bardhi, përshëndeti njëkohësisht fillimin e punimeve për ndërtimin e rrugës që të çon në malin e Tomorrit. Në përfundim, Imzot Rrok Mirdita uroi që “kjo marrëveshje të mos jetë vetëm një akt simbolik, por një shprehje e qartë e vullnetit të përbashkët për ecurinë normale të veprimtarisë së komuniteteve fetare”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›