E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria në NATO, Bush firmos me ceremoni speciale

 

Aristir Lumezi

Presidenti amerikan, Xhorxh Bush, firmosi dje Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Në një ceremoni zyrtare, që zhvillohet për herë të parë në ‘Rose Garden’ të Shtëpisë së Bardhë, Presidenti amerikan në prani të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, hodhi firmën në protokollin, që bën të mundur anëtarësimin e vendit tonë dhe Kroacisë në Aleancën Euroatlantike. Firmosja e djeshme nga ana e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i dha fuqi ligjore aktit të Kongresit Amerikan, i cili ratifikoi më 25 shtator 2008, me unanimitet, Protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Në ceremoninë e djeshme, që u zhvillua në orën 17:30 me orën lokale dhe 23:30 me orën e Shqipërisë, ishin të ftuar dhe shumë kongresmenë amerikanë si dhe përfaqësitë diplomatike të dy vendeve aspirante për në NATO. Presidenti amerikan kishte të ftuarin special në këtë ceremoni Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, i cili kishte mbërritur në Washington dy ditë më parë. Shqipëria e mori ftesën për anëtarësim në NATO në prill të këtij viti në Samitin e Bukureshtit. Vendet e Aleancën kanë vlerësuar në vazhdimësi reformat e bëra nga Shqipëria në përmbushje të standardeve që kërkon NATO, duke shprehur angazhimin për anëtarësimin me të drejta të plota para samitit të prillit të vitit të ardhshëm. Deri tani, Hungaria, Letonia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Lituania, Polonia, Rumania, Bullgaria dhe Sllovakia kanë miratuar në parlamentet e tyre Protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Shqipëria është optimiste se deri në fund të vitit edhe vendet e tjera anëtare të Aleancës Euroatlantike do të firmosin protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë për në NATO. Ratifikimi i këtij protokolli nga SHBA-të, i hap rrugë procesit të përshpejtuar të anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në NATO, pas ratifikimit edhe nga vendet anëtare dhe anëtarësimit me të drejta të plota të Shqipërisë e Kroacisë në Traktatin e Atlantikut të Veriut.

Topalli në Kuvendin bullgar për NATO

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ishte prezente në parlamentin bullgar gjatë procesit të votimit të Protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, duke e miratuar atë. Në fjalën e saj përshëndetëse para deputetëve bullgarë, Topalli nënvizoi faktin se Shqipëria sot ndodhet një hap larg anëtarësimit të plotë në NATO. Por, siç vuri në dukje kryeparlamentarja, në Shqipëri ka ende probleme për të zgjidhur, siç është problemi i korrupsionit, krimit të organizuar. Gjithashtu, Topalli u bëri të ditur deputetëve bullgarë disa prej reformave të ndërmarra në vend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›