Investimet e larta në fundvit, në rrezik inflacioni
Edhe këtë vit rrezikon të përsëritet e njëjta situatë si vitet e kaluara për realizimin e investimeve. Sipas ekspertëve të ekonomisë, pavarësisht deklaratave të bëra deri më tani nga zyrtarë të qeverisë, edhe këtë vit rrezikohet që realizimi i investimeve të përqendrohet në fund të vitit. Por kjo do të shtonte rrezikun e rritjes së nivelit të inflacionit. Sipas ekonomistit Gjergj Teneqexhi, rreziku është që në fund të vitit të ketë presion rritje investimesh, por se sa efektive janë ato kjo mbetet për t’u parë. Ndërsa ish-zëvendësministrja e Financave, Adriana Berberi, e shton edhe më tej dyshimin e saj mbi realizimin e investimeve. “Përveç presionit inflacionit, shtrohet pyetja se a është në gjendje kjo administratë që të ketë zhvilluar procedura normale të tenderimit, pra të mos ketë lejuar tejkalim afatesh apo tejkalim kompetencash, gjë që ne na bën me dyshim”, është shprehur ajo. Por sipas zyrtarëve të qeverisë, këtë vit realizimi i investimeve dhe sidomos ato publike është në rrugë të mbarë. Sipas të dhënave nga Ministria e Transporteve, e cila është edhe gllabëruesja më e madhe e fondit për investimeve, deri në fund të 7-mujorit realizimi i investimeve me financime buxhetore në sektorin rrugor është 67 për qind, ndërsa financimi i huaj është 56 për qind. Pjesa më e madhe e fondit të investimeve shkojnë për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës-Morinë, e cila është planifikuar të përfundojë në qershor të vitit të ardhshëm. Por jo pak herë realizimi apo jo në kohën e duhur e projekteve infrastrukturore është bërë objekt debati mes pozitës dhe opozitës, ku shpeshherë kjo e fundit e ka akuzuar qeverinë për abuzime me fondin e investimeve.