E Diel, 1 Nëntor 2026

Adoleshentët, sa kryeneçë aq edhe rebelë

Duken gjithnjë e më të çuditshëm, por mbeten të këndshëm, agresivë e të lexueshëm rreth botës së tyre: këta janë adoleshentët e sotëm. Ata ankohen se nuk kuptohen nga prindërit, ndërkohë që këta të fundit ndihen të pafuqishëm të komunikojnë me fëmijët e tyre. Ja disa këshilla për të kuptuar më mirë botën e kësaj moshe delikate

"Im bir e përdor shtëpinë sikur të ishte hotel"; "Vajza ime, kur kthehet në shtëpi, ulet menjëherë në tavolinë, ha pa bërë fjalë dhe ngrihet menjëherë sapo mbaron. Pra pa u ulur mirë, ka mbaruar"; "Kur i bëj ndonjë pyetje djalit të madh, më përgjigjet (gjithmonë kur dëshiron) duke mërmëritur nëpër dhëmbë". Sa prindër janë përballur me këto skena familjare? Pa dyshim që shumë. Por janë shumë tepër ata që ankohen se nuk janë më në gjendje të komunikojnë me ta. Gjithsesi, është një situatë vërtet e vështirë. Por cila është mënyra e duhur për të folur me adoleshentët? Gjithmonë ka qenë kështu? Ja çfarë këshillon një psikologe dhe psikoterapeute amerikane.

Cilat janë arsyet e vërteta që e shtyjnë një adoleshent të shkojë te një psikolog?

Pak a shumë janë mjaft të ngjashme me arsyet e të rriturve. Ndoshta adoleshentët e kanë shumë të vështirë të shkojnë te psikologu, por prindërit, miqtë dhe të afërmit duhet të bëjnë të pamundurën që të takohen me psikologët. Të rriturit arrijnë ta konceptojnë një takim me psikologun, ndërsa adoleshentët duhet t‘i nxisësh. Adoleshentët shkojnë te psikologu për problemet që lidhen me trupin, anoreksinë, depresionin, pra me rritjen. Një tjetër arsye është edhe ajo e lidhjeve të vështira të dashurisë e menaxhimi i dështimeve të tyre në shkollë.

Cili është dallimi mes terapisë së të rriturve dhe asaj të adoleshentëve?

Të rriturit e kanë më të thjeshtë të bashkëbisedojnë me psikologun dhe të konceptojnë një takim me të. Me adoleshentët gjërat janë paksa më të komplikuara. Ndonjëherë duhet të zhveshësh gradat e psikologes për t‘u pozicionuar në vendin e tyre. Me të rriturit mund të mbaj statusin tim, të vazhdoj misionin tim duke i ndihmuar. Puna me të rriturit nuk kërkon ndonjë përkushtim të madh, pra që unë të dal nga vetvetja dhe të marr rolin e pacientit, ashtu siç bëj zakonisht me adoleshentët.

Si përkthehet me fjalë të tjera të vihesh në rolin e pacientit?

Thjesht që a jemi ne në gjendje të tregojmë gjërat për të cilat ato flasin. Pra të flasësh për duhanin, alkoolin, vajzat, lidhjet e dashurinë, marrëdhëniet bashkëshortore, e shumë të tjera. E gjithë kjo kërkon shumë kujdes nga ana e psikoterapeutit, pra mënyra se si i shpjegon gjërat. Është vërtetë e vështirë të jesh në rolin e pacientit. Një tjetër aspekt shumë i rëndësishëm janë edhe problemet familjare, prindërit e ndarë, divorcet. Tashmë 50 për qind e fëmijëve i kanë prindërit e ndarë. Për adoleshentët, ky është një problem goxha i madh.

Është më shumë problem për një adoleshent apo për një fëmijë?

Për të dy. Ndoshta një fëmijë i vogël nuk e ndien shumë, sepse nuk kupton, por që gjithsesi si për adoleshentin dhe fëmijën është tepër e vështirë. Ndarja e prindërve në të dyja rastet ka efekte dramatike. Duke qenë se adoleshenti është i rritur dhe kupton e ka më të vështirë t‘u largohet problemeve. Pra ka më pak mendësi "arratisjeje". Për fëmijën, problemi është vuajtja.

Kur flet për adoleshentët të duket gjithmonë sikur ke mungesë komunikimi. Prindërit mendojnë shpesh se momentet e vërteta të dialogut janë të pakta...

Në një farë mënyre po prekim thelbin e çështjes. Ekziston një tjetër nivel komunikimi që natyrisht nuk është ai verbal, me të cilin jemi mësuar ne të rriturit. Mënyrat e komunikimit kanë ndryshuar. Janë mënyra që arrijnë nivelin emocional. Adoleshentët komunikojnë me të rriturit me anë të emocioneve, jo me fjalë, përmes shikimit, sjelljes, diskutimeve (ku përfshihet një i tretë), të cilat të rriturit duhet t‘i dëgjojnë me shumë vëmendje.

Ǒdoni të thoni me shprehjen ku përfshihet një i tretë?

Kur një adoleshent flet për lidhjen e tij me një shok ose shoqe, në fakt e ka fjalën për veten. Ashtu siç flet për veten, flet edhe për marrëdhënien me prindërit e tij. Adoleshentët i mendojnë të gjitha gjërat me kujdes. Pas historive të tyre qëndrojnë gjithmonë prindërit. Nuk është nevojshme që ai të tregojë. Prindërit kanë nevojë që fëmijët e tyre të flasin me ta, të diskutojnë gjithçka së bashku dhe të ndihen të sigurt. Adoleshentët kur dëgjojnë fjalën "diskutojmë", përpiqen të shmangen, sajojnë histori, heshtin. Me adoleshentët, fjala "diskutojmë" nuk funksion. Gjithashtu duhet parë a funksionon me të rriturit, por kjo është një çështje tjetër.

Interneti, çati, "Facebook" janë mjete komunikimi mjaft reale, por që nuk i respektojnë kriteret e realitetit. A është ky një komunikim i vërtetë?

Si të gjitha moshat edhe adoleshentët pasqyrojnë modelin kulturor të kohës së tyre. Unë nuk mund të them nëse është apo jo një komunikim i vërtetë, por jam e bindur se kjo është mënyra e komunikimit e kulturës së sotme. E duke qenë se adoleshentët janë më të kushtëzuar sesa të rriturit nga kultura e momentit është e qartë se e kanë të vështirë të heqin dorë. Do të kemi mundësi ta kuptojmë se çfarë ka shkaktuar kjo mënyrë komunikimi ndryshe. Është shumë herët për të nxjerrë përfundime. Sot e vetmja gjë që mund të thuhet është se një adoleshent duhet ta bëjë. Nuk është momenti për të gjykuar nëse është mirë apo keq. Nëse nuk e bën është një "ngordhalaq", e thënë në gjuhën e adoleshentëve.

Shpesh fëmijët u kërkojnë prindërve t‘u mbushin me para celularët? Pse nuk e përdorin telefonin fiks?

Shumë prindër më thonë pak a shumë të njëjtën fjali: "Doktoreshë paskeni telefon fiks këtu. Pse djali ose vajza ime kërkon me ngulm që ta marr në celular?. Fatkeqësisht, të gjithë kanë një përgjigje, që fëmijët do të inatoseshin dhe kështu janë të detyruar t‘i marrin me celular.

Çfarë mund të bëjë një prind në këtë pikë?

Fillimisht nuk duhet t‘i thotë kurrë fëmijës fjalët: "Në kohën time gjërat funksionin ndryshe, apo kur të rritesh..., tani duhet vetëm të mësosh etj". Pa e gjykuar, duhet t‘i shpjegoni atij dhe ta bindni se ka kohë për këto gjëra. Duhet t‘i ofroni një model mbizotërues. Sot të rinjtë kalojnë dy orë në ditë para kompjuterit. Nuk duhet të humbni kohë, duke gjykuar nëse është e drejtë apo e gabuar. Është kështu dhe pikë. Prindërit duhet të marrin masa për ta ndryshuar këtë zakon, duke i bërë adoleshentët të kuptojnë se gjërat funksionojnë ndryshe.

A ka të ngjarë që interneti të krijojë konfuzion mes botës reale dhe asaj virtuale?

Te një adoleshent normal, ky rrezik është i papërfillshëm. Ai di ta ndajë botën reale nga ajo virtuale. Duke qenë në kontakt me internetin, pra duke komunikuar me personat që ndodhen në anën tjetër të ekranit, ai mëson të shprehet, të jetë vetvetja, ndoshta pak më i fshehur. Përmes internetit, ai arrin të komunikojë, të shprehë mendimet e tij më të thella. Arrin ta kuptojë se mjeti i përdorur është virtual, por gjithsesi e ka provuar. Ndërkaq, duke pasur parasysh këtë eksperiencë, mund ta shndërrojë atë në realitet.

Pse adoleshentët u mbajnë mëri prindërve?

Sepse rrëmbehen nga inati. Në kujtesën e tyre mund të jenë ngulitur episode të veçanta, për shembull kur prindërit nuk ua kanë plotësuar dëshirat, por kjo nuk do të thotë se fëmijët nuk i duan apo nuk i respektojnë ata. Prindërit duhet të përshtaten e të mësohen me zgjedhjet e adoleshentëve. Që të dyja palët të kenë një marrëdhënie të ekuilibruar, duhet të kalojnë edhe një hap tjetër shumë të rëndësishëm. Të dinë të falin.

Por çfarë në të vërtetë duhet të falin?

Adoleshentët duhet t‘i falin prindërit për një fëmijëri, e cila nuk ka qenë ashtu siç kanë dashur. Por pavarësisht kësaj, prindërit i ndihmojnë fëmijët të dalin në jetë, të rriten, të bëhen njerëz të nderuar. Gjithmonë prindërit janë dhe do të mbeten një model për fëmijët, një pikë referimi për të ndërtuar të ardhmen e tyre.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›