E Diel, 1 Nëntor 2026

Berat, pritet fondi i qeverisë për pastrimin e shtratit të Osumit

Pastrimi i shtratit të lumit Osum do të kryehet vetëm me fonde të akorduara nga qeveria. Edhe pse ka patur projekte për pastrim të lumit nga aluvionet, projekte të tilla kanë mbetur vetëm në letra prej vitesh, vetëm për për mungesë investimesh. Së fundi ka qenë zv/ kryeministri Genc Pollo, që tashmë ka fituar dhe mandatin e deputetit në qarkun e Beratit në zgjedhjet parlamentare më 28 qershor, i cili ka bërë kërkesë në Qeveri për akordim të fondeve për zgjidhjen e këtij problemi. Burime nga dega e PD-së në Berat bëjnë të ditur se pritet që së shpejti në në një nga mbledhjet e Qeverisë të akordohet dhe një fond prej 8.5 milion lekësh për këtë problem. Ky investim do të shërbejë për pastrim të lumit Osum midis lagjes Mangalem dhe Goricë, ku aluvionet e grumbulluara kanë bërë që shumë herë lumi të dalë nga shtrati duke dëmtuar banesat e lagjes Goricë. Pastrimi i lumit do të shërbejë dhe për nxjerrjen në pah të vlerave të Urës së Goricës e cila më parë ka patur pastrime nga Bordi i Kullimit. Sipas burimeve nga prefektura bëhet e ditur se nga Bordi i kullimit ka patur një projekt që do të pastronte shtratin e lumit Osum midis dy urave, asaj të Goricës dhe Urës së Varur por për mungesë fondesh ky projekt u la pezull. Tashmë zbatimi i këtij projekti do të vihet në zbatim kur qeveria të çelë fondin. Ndërsa ende nuk ka asnjë projekt për pjesën tjetër të lumit që shtrihet mes Beratit, në të cilën gjithashtu nuk është ndërhyrë për mungesë fondesh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›