Gjirokastër, Drino tejngopjet me mbeturina, qytetarët rrezikohen nga infeksionet
Drino, lumi i vetëm që përshkon qytetin e Gjirokastrës, prej kohësh lëngon nga tejngopja me mbeturina të çfarëdollojshme, të cilat në mjaft raste janë shndërruar në burime infeksionesh për gjallesat apo dhe njerëzit. Vitin e kaluar specialistët dermatologë kanë konstatuar 12 raste me sëmundje të ndryshme lëkure kryesisht tek fëmijë të moshave nga 10-14 vjeç. Sipas mjekëve dermatologë, patologjia e hasur tek të prekurit me sëmundje të lëkurës ishte kryesisht e njëjtë, kruarje e trupit në të gjithë vendet, skuqje e shoqëruar me shenja të ndryshme.
Në brezin horizontal të rrjedhës së Drinos me një gjatësi gati 3 km, lumi i përngjan një moçalishteje duke shndërruar vizualisht pamjen. Mbeturina të gjithfarëllojshme duke filluar nga ato inerte, bujqësore, hekurishte, lëndësh të ndryshme kimike e deri para pak kohësh mbetjet spitalore, vrojtohen sot me sy të lirë në shtratin e lumit duke dëmtuar seriozisht ekosistemin e luginës së Drinos përgjatë gjithë rrjedhës së tij deri ku mbaron zona urbane. Specialistet e epidemiologjisë në Drejtorinë e Shëndetit Publik të Qarkut të Gjirokastrës të gjendur në këto kushte, kanë dhënë alarmin pasi bazeni i lumit Drino është tërësisht në gradën e infektimit. Sipas njërit prej këtyre specialistëve i cili dëshiron të ngelet anonim për shkak të rrezikimit të vendit të punës, pohon se mjaft herë ky institucion ka kryer raporte të ndryshme rreth problematikës që mbart lumi kryesisht në këtë periudhë që është favorizuese ndaj infeksioneve të ndryshme si pasojë e temperaturave të larta të ajrit. Sipas specialistëve të kësaj drejtorie sivjet deri më tani nuk janë hasur raste të infeksioneve tek fëmijët të cilët janë më të ekspozuar karshi infeksioneve të ndryshme të karakterit dermatologjik pasi lahen në ujë të ndotur. Megjithëse shumë herë raportet kritike për gjendjen e trashëguar prej vitesh janë përcjellë tek Inspektoriati i Mjedisit apo në Institucionin e Prefektit të Qarkut të Gjirokastrës, këto të fundit kanë qenë të pafuqishme për të ndërhyrë pasi evitimi i gjendjes së krijuar prej vitesh, do të kërkonte të holla të jashtëzakonshme çka është mision i pamundur në kushtet aktuale dhe mungesës së kontrollit në të gjithë bazenin e rrjedhës së lumit. Në vitin 2006 ish prefekti i Qarkut të Gjirokastrës Spiro Ksera, ndërmori një hap mjaft të rëndësishëm për evadimin e mbetjeve inerte nga i gjithë bazeni ku pothuajse të gjitha firmat e ndërtimit, iu përgjigjën apelit të Kserës për të çliruar Drinon nga kthetrat e bimësisë dhjetravjeçare dhe e materialeve inerte të degdisura aty me shumicë gjatë viteve 90. Mirëpo kjo iniciativë ngeli përgjysmë, pasi nuk u evaduan apo nuk u pastrua rrjedha e lumit nga mbetjet kimike mjaft të dëmshme. Sipas ish shefit të Inspektoriatit të Mjedisit në Gjirokastër Stefan Rapi, në Drino gjatë katër viteve të fundit, janë hedhur aq shumë mbetje të dëmshme kimike, saqë do të duhen miliona lekë për të pastruar me durim të gjithë lumin në zonën e infektuar. Zoti Rapi shprehet për gazetën se mungesa e një strategjie të veçantë nga ana e organeve të shtetit që varen direkt nga ekzekutivi për të nxjerrë nga kolapsi Drinon, ka bërë që ai të vazhdojë të lëngojë dhe të acarohet edhe më tepër në përqendrimin e ndotjes duke qenë burim potencial infeksionesh.