E Shtunë, 31 Tetor 2026

Adoleshentët sherr në kalçeto, plagoset me thikë 13-vjeçari

 

TIRANE - Një lojë futbolli në kalçeto mes adoleshentësh, për pak sa nuk ka qenë fatale për një 13-vjeçar, i cili është plagosur me thikë nga shoku i tij pas një mosmarrëveshjeje. Ngjarja e rëndë ka ndodhur dy ditë më parë në Laprakë të kryeqytetit, ku dy grupe adoleshentësh kanë qenë duke luajtur futboll dhe pas një goli të shënuar nga njëra skuadër ka nisur një sherr mes dy 13-vjeçarëve. Sipas burimeve nga policia, bëhet e ditur se është plagosur adoleshenti me iniciale A.D. i cili është dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak, ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale. Të njëjtat burime bënë të ditur se autor i ngjarjes dyshohet se është 13-vjeçari me iniciale G.L., lindur në Laç dhe banues në Laprakë të Tiranës. Policia që ka mbërritur menjëherë në vendngjarje ka shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës autorin e dyshuar të ngjarjes, duke i sekuestruar edhe thikën me të cilën kishte plagosur shokun, gjithashtu ka shoqëruar për të marrë në pyetje edhe adoleshentët e tjerë që kanë qenë duke luajtur. Pasi kanë dhënë të gjitha deklarimet për ngjarjen, është vendosur që 13-vjeçari me iniciale G.L. të lihet për hetim në gjendje të lirë, për shkak të moshës së mitur. Ndërkohë burime nga Spitali Ushtarak bënë të ditur se 13-vjeçari tjetër i plagosur ndodhet i shtruar në një nga pavijonet e spitalit dhe jashtë rrezikut për jetën.                  e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›