Me temperaturë, vdes 22-vjeçarja
VLORE/ Qemal Biraku
Humb jetën në spital 22-vjeçarja. Një vatër infeksioni ende e pazbuluar i ka provokuar temperaturë të lartë, duke i shkaktuar vdekjen pas 16 orësh mjekimi. I menjëhershëm ka qenë reagimi i familjarëve të Rajmonda Bletës, të cilët akuzuan doktorët e turnit, si të papërgjegjshëm për mjekimin e saj, çka i shkaktoi uljen e menjëhershme të temperaturës së trupit. Ekspertë nga Fieri e Tirana janë angazhuar në zbardhjen e saktë të shkaqeve të vdekjes, por përgjigjja e fundit i mbetet analizave.
Orët e fundit
Burime të spitalit dhe familjarët e viktimës 22-vjeçare pohojnë se e kanë transportuar atë mëngjesin e së hënës nga fshati Risili në urgjencën e spitalit të Vlorës. Prej dy ditësh ajo ishte me temperaturë të lartë, që shënonte 39 gradë dhe ishin detyruar të kërkonin ndihmën mjekësore. Menjëherë pas ekzaminimit të parë është vendosur shtrimi i Rajmondës në repartin e infektivit të spitalit. Mësohet se mjekët e kanë mbajtur nën vëzhgim, duke e kuruar me antibiotikë e më tej me serume, për të stabilizuar gjendjen febrile që kishte prezantuar 22-vjeçarja, lindur në Tepelenë e martuar në Risili të Vlorës. Sipas familjarëve, ata i kanë treguar mjekëve se asaj nuk i ulej temperatura, ndërsa bajamet i kishte të acaruara. Mjeku që e mbajti nën kontroll ka shënuar si diagnozë gjendjen febrile, shkaktuar nga një burim i papërcaktuar. Por, edhe pse mjekët kanë ndërhyrë për të normalizuar temperaturën e saj, ajo pësonte ulje-ngritje. Për 16 orë me radhë, gjendja e saj nuk është mundur të vihej nën kontroll, derisa temperatura i është ulur deri në 35 gradë. Në këtë moment, e reja ka pësuar dridhje të trupit. Një neurolog është lajmëruar me shpejtësi, por të dridhurat kanë vazhduar derisa pas rreth 30 minutash ajo ndërroi jetë.
Akuzat e familjarëve
Bashkëshorti i Rajmondës, Ramadan Bleta, i cili i ka qëndruar pranë në spital që nga momenti i mbërritjes, tha se gjendja e saj nuk ishte e rëndë sa mund të mendoje për rrezikimin e jetës. “Ajo kishte temperaturë nga 37, 38, 39 dhe nuk i zbriste, por nuk ishte shumë rëndë. Për të mos i rrezikuar jetën e sollëm në spital, por ata, në vend që ta shëronin e vdiqën. Që në momentin që u shtrua i bënë një analginë dhe më tej e futën në serum, sipas mjekëve për t’i stabilizuar temperaturën. Por, analgina nuk ia ndryshoi aspak gjendjen e temperaturës për momentin”, tregon i hidhëruar Ramadani. Në këto momente, temperatura nisi të bjerë dhe familjarët kanë marrë frymë lehtë se gjendja tashmë u normalizua. Por, rreth orës 18:00 ajo pati sërish një ngritje temperature, e cila sipas burrit, shkoi deri në 41. “Mjeku i bëri një gjilpërë në damar në krah, pa më thënë se çfarë medikamenti ishte. Më thanë se pas tij, do të qetësohet dhe do vihej në gjumë. Pas kësaj, Rajmonda nuk reagoi më fare. Temperatura iu ul në 35 e 36 dhe u bë shumë keq, duke ju ftohur trupi pak nga pak. U alarmova, thirrja mjekun, por më kot. Asnjë nuk më jepte shpjegim. Në këto kushte e futën urgjent në repartin e reanimacionit dhe rreth orës 12:00 të natës ajo ndërroi jetë pa më dhënë mjekët asnjë arsye apo shkak të qartë”.
Mjekët: Mister shkaku
Drejtori i Spitalit të Vlorës, Luter Nuraj bëri deklarimin e tij pas ngjarjes, por duke shtuar se fjala e fundit i mbetet ekspertëve. “Sapo u vura në dijeni për vdekjen e vajzës kam bllokuar kartelën e pacientes dhe kam bërë menjëherë mbledhje me shefat e çdo reparti për të analizuar rastin. Pacientja ka ardhur me gjendje febrile, por pas një temperature mund të ketë shumë shkaqe”, tha Nuraj. Sipas tij, pasi është marrë në pyetje i gjithë personeli mjekësor është dalë në përfundimin se nuk ka pasur neglizhencë prej tyre e as reaksion nga ilaçet, pasi ato do e kishin dhënë shenjën shumë orë më parë. Por, mister mbetet burimi i infeksionit. “Nga ekspertiza ka rezultuar se nuk bëhej fjalë për vatër infeksioni të zhvilluar në bajame apo në mitër, për shkak të abortit të kryer prej pacientes. Ajo ka pasur konvulsione, (të dridhura) për rreth 30 minuta e pas ndërroi jetë. Kjo e bën më të vështirë zbardhjen e diagnozës”, pohoi mjeku. Dyshohet se nga temperatura e lartë, pacientja ka pësuar goditje në tru ose probleme në funksionimin e zemrës, çka shpjegon dhe të dridhurat e shkumën e nxjerrë në momentet e fundit. Megjithatë, të vetmet përfundime të sakta pritet të merren pas analizave të kampioneve të gjakut e lëndëve të tjera të trupit.