E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kadri Roshi, ashtu si ishte jashtë kamerave

 

Alma Mile

Dy këpucë të majta e çuan tek deri tek kangjellat. Majat e tyre shikonin të dyja nga jashtë. I pa me pikëllim dhe mallkoi veten që nuk kishte mundur të gjente një palë të tjera, ani pse 2-3 numra më të mëdhenj. Dy këpucë të majta e çuan Kadri Roshin drejt skenës së Teatrit. Atëherë ishte 20 vjeç. Kur janë mbushur plot dy vjet, që kur aktori i madh iku nga kjo botë, një prej miqve boton një libër-homazh, për nder të tij. Titullohet “Kadri Roshi- Kalorësi mbi det”, shkruar nga skenaristi Petrit Ruka. “Nuk është një monografi, por një ese monografike”, - thotë Ruka, i cili preferon ta quajë një “valë dashurie” librin e tij. Petrit Ruka është i vetmi që mundi të bëjë një dokumentar mbi aktorin, një ëndërr që të gjithë regjisorët shqiptarë e kishin. Prej kohës kur realizoi dokumentarin, lindi një miqësi e thellë, të cilën e mbajtën deri në momentin që aktori ndërroi jetë në 6 shkurt 2007. Ishte viti 1997, kur projekti i tij fitoi në Qendrën Kombëtare Kinematografike, të sapohapur. “Një dokumentar mbi Kadri Roshin ishte ëndrra e të gjithë kineastëve, e imja gjithashtu, por ishte një dëshirë që e mbaja për vete. Ndihesha i ndrojtur duke qenë se isha ndër më të “rinjtë” që kishin filluar në Kinostudio, në vitin 1985", - thotë Ruka. Dokumentari “Butrinti i gjallë” i dha mundësinë të qëndronte plot 6 muaj pranë Kadri Roshit. “E quajta “Butrint i gjallë”, sepse Kadri Roshi ishte një amfiteatër, ku mund të ulej i gjithë arti shqiptar. Jeta e tij është çelësi për të lexuar gjithë kulturën shqiptare, filluar nga zero, për të arritur në nivelet e tij”. Libri del jashtë kornizave të zakonshme. Zëri i rrëfimtarit gërshetohet me atë të aktorit dhe ndonjëherë nuk e kupton ku mbaron i pari e ku fillon i dyti. Është ndërtuar mbi episode të ndryshme nga jeta e aktorit. Disa që i rrëfen vetë ai, të tjera të jetuara bashkë me autorin. I ka shërbyer shumë koha e realizimit të dokumentarit, udhëtimet në qytete të ndryshme, të cilat i ngjallnin kujtime nga fëmijëria, jeta e tij në Ballsh, largimi drejt Kavajës, punët si hamall në Durrës, tentativa në teatër, kursi 1-vjeçar, puna si sufler, deri tek roli i parë i vërtetë. Por aty gjen edhe Kadriun–njeri, në raport me njerëzit, me peshkimin, me duhanin, pengjet për rolet e parealizuara kurrë. Po se si ishte Kadri Roshi, burrë, familjar, baba, këtë nuk e gjejmë në këtë libër. “Këtu nuk është as çereku i atyre kujtimeve që kam me Kadriun. Ndoshta pas 10 vjetësh do ta rimarr këtë libër e do të flas për jetën e tij, për marrëdhëniet me gratë, me familjen. Në një shoqëri si e jona është ende herët për të folur për të tilla tema. Në jetën e tij ka pasur disa ngjarje të mëdha, janë marrëdhëniet me 2-3 gra, por ende nuk është koha për të folur për to. Le ta lëmë për momentin në panteonin e tij”, - thotë Ruka. “Ai kishte të meta si të gjithë njerëzit, por nuk do t’i gjeni në këtë libër”, - thotë ai. Përmes librit mund të zbërthesh figurën e aktorit. Kemi përzgjedhur vetëm disa pjesë episodesh, që nga rinia, në pengjet e tij të pleqërisë. 
Si hamall
Ika nga kjo punë dhe fillova si hamall në “Saso Bianko”, ngarkoja çimento. Kjo ndërmarrje ish aty ku është sot shtëpia e Pushimit e Ministrisë të Brendshme. Aty kish një repart ushtarak. Punoja 10-12 orë në ditë. Vetë peshoja 48 kile dhe thesi ish 50. Po paguhesha më mirë. Këtu merrja 18 lekë në ditë, ndërsa në Kavajë vetëm 8 lekë për ditë pune. Fillova të fle buzë detit, mbi leshterikë. Puna zgjaste 10-12 orë dhe rroga ishte e vogël. Nuk më dilte. Ndonjëherë zija dhe morra. E ku të lahesha?! Më ngrinte në kokë çimentua. Mbaj mend njëherë që shkova tek berberi... më ka qethur me shumë mundime,... se më kish ngrirë në kokë çimentua. E laja kokën me ujë të ftohtë. Po ku e dija unë i shkreti, që çimentua nuk lahej me ujë të ftohtë... ngrinte.
Në Zagreb
Për jetën në Zagreb atij nuk i kishte mbetur ndonjë farë nostalgjie. Nuk mbaj mend të më ketë folur ndonjëherë për diçka që ia vlen të shkruhet. Mbase, ngaqë siç thoshte vetë, “kam punuar natë e ditë për mësimin e gjuhës”. Mbase ngaqë marrëdhëniet me Jugosllavinë aso kohe po tendoseshin deri në këputje. Klima armiqësore zbriste që nga nivelet shtetërore deri poshtë në botën e studentëve. Në Tiranë kishte filluar mëria e madhe me Titon, një miqësi që nuk kishte zgjatur dot më shumë se tre vjet. Në mes ishte futur Moska, qendra e perandorisë komuniste. Madje, në Tiranë kish filluar sharja, denoncimi i revizionizmit titist dhe ky vulg zemërimi Kadri Roshin e kishte zënë në Zagreb Shteti nuk mund talente as atë jashtë kësaj lufte. Mbaj mend që njëherë më tha me një buzëqeshje të hidhur tallëse se edhe ai ish përfshirë në këtë betejë, “kish luftuar kundër revizionizmit titist në frontin e heshtur”. Më tregoi se si pati shpërndarë ilegalisht ca materiale denoncuese të shtetit e të partisë së tij kundër titistëve. Mua më pat kapur e qeshura. “Mos qesh, - më tha, - është e vërtetë!”. U bë serioz, por ironia e thartë i derdhej akoma nga buzët deri mbi mjekrën e praruar. Siç duket ambasada jonë i kish ngarkuar një “detyrë të vogël, të posaçme”. Pata pritur të më sqaronte, por ai vetëm sa kish qeshur hidhur dhe nuk foli rëndë më tej. Nuk e cyta me shpresën se një ditë mund të ma rihapte komedinë e titistëve. Por kjo nuk ndodhi asnjëherë. Nuk i di detajet se si ka ndodhur që “spiuni” Kadri Roshi përhap fshehurazi të vërtetën duke i hapur sytë popullit jugosllav për tradhtinë, që Titoja po u bënte idealeve të mëdha të marksizëm-leninizmit.
Brenga e madhe
Cila është ëndrra jote më e madhe?
Ëndrra, apo brenga?
Të dyja bashkë,,
Ah, kështu po! Ali Pashë Tepelena... E dua shumë. Është i jashtëzakonshëm. Kam një jetë që e mbaj këtu, të fshehur (ai godet me gishtin e tij të zverdhur zemrën). Po me sa duket nuk qe e thënë... fati nuk qe me mua këtë radhë...
Kësaj nuk i dihet mjeshtër...
Aha!..
Kadri Roshi ka të drejtë. Kishim folur shumë herë për ëndrrën e tij të fshehtë. Ali Pasha ishte ambicia e tij e madhe. Kur fliste për të ndjehej qysh në fjalët e para adhurimi i tij për këtë burrë të jashtëzakonshëm, trim, të mençur dhe dinak që ia pati dalë mbanë t’i rrijë për më shumë se 30 vjet hundë më hundë superfuqisë së pamat botërore. Dinte shumë për të dhe tregonte episode pikante të karakterit të tij të paparashikueshëm. Kisha dëgjuar nga ai historinë e letrës që Ali Pashai i pati drejtuar madhërisë së tij të ndritur, Napoleon Bonapartit. Kur sekretari kish filluar të rreshtonte sipas stilit të kohës lulelajlet e mburrjeve të gjata për shkëlqesinë e tij të Francës, ia rrëmbeu nga duart, e grisi dhe urdhëroi në mënyrë të prerë: “Shkruaj! Perandorit të Francës. Napoleon, porosinë për leshin e mora. Dërgo paratë të marrësh leshin! Aliu i Tepelenës”. Kjo kishte qenë ndoshta letra më e shkurtër, që pati marrë ndonjëherë korsikani i famshëm...
Mbase gaboj, por unë që ia dija mirë këtë “helm” të brendshëm vija re se si ngadalë plaku po huante gjestet dhe sharmin e Aliut. Mbase një fuqi e fshehtë që rritej brenda tij po e shtynte aktorin e madh drejt pashait të Janinës. Ai filloi t’i ngjajë gjithnjë e më shumë portretit të tepelenasit të lavdishëm... Fytyra e tij filloi të vetë konturohet. Damari i zi në ballë filloi t’i trashet, vetullat iu bënë më kaleshe, duart iu mbushën me ca përrenj venash që sterronin. E mbi të gjitha ai filloi ta zgjaste gjithmonë e më shumë mjekrën e tij të bardhë.
Pasioni për peshkimin
Kur me dokumentarin “Butrinti i gjallë” shkuam të filmonim një çast peshkimi në Divjakë, vrapoi si i babëzitur që të hidhte grepat, iu afruam me kamerën në dorë, por ai u hutua fare.
“Çfarë do bësh?- më pyeti me ca sy të shqetësuar, gjithë lutje.
“Epo, ja,.. ne do të filmojmë një çikë..”, - i thashë me gjysmë zëri. Më pa drejt e në bebëza sikur të shihte xhebrailin.
“Aman!”. Nuk kisha dëgjuar kurrë një fjalë të tillë, që të kishte brenda kaq lutje dhe kaq përgjërim. “Po si t’ia bëj”,- thashë, - Ku të filmojmë?”. “Ja hidhu atje përtej”. Më tregoi me dorë bregun përballë që ishte nja 100 metra larg. Që andej nuk mund të filmohej as me kamerat e CIA-s. Pa le me atë të tonën. E lashë fare xhirimin. E ç’mund t’i bëje atij gjatë peshkimit? Si mund t’ia prishje ato çaste, kishte filluar t’i dridheshin duart pa sosur mikrobusi ynë në hyrje të lagunës. Kishte marrë dozën e fort të “drogës” së peshkimit sapo kishte ndjerë shijen e athët të erës plot jod të detit. Tani qe njësoj si të flisje me një njeri krejt tjetër. Foli murit, thonë vlonjatët për raste të tilla. E kishte vënë përfund një magji, që vetëm pak njerëz e dinë se ku i ka pushtetet e saj të mistershme...
Kur na solli peshkun pronari, Kadri Roshi nguli këmbë që gjysmën ta mbante i zoti i lokalit dhe ia doli mbanë, me gjithë kundërshtimin heroik të tjetrit. Në pjata kishte peshk sa për katër veta. Kuzhina kishte bërë një përpjekje madhështore për ta pjekur peshkun siç mund t’i pëlqente një peshkatari. Kur unë fillova ta copëtoj si mos më keq të parin, ai qeshi. “E bëre përshesh, nuk qërohet ashtu peshku”,- tha. Mori pirunin dhe i bëri një ndarje mjeshtërore mishit nga skeleti i brishtë kockor, me ca shkundje të lehta piruni, pa i prishur asnjë fije trupit nga koka deri tek bishti. E ndau edhe të vetin, mbajti një peshk të vogël dhe ma vuri përpara pjatën e tij.
“Se unë.. nuk e ha peshkun. Mos i trego njeriu, po.. pothuajse nuk e ha peshkun”. E pashë i habitur. Bënte shaka, apo?...

Jeta

Fëmijëria
Kadri Roshi lindi në 4 janar 1924, në një familje tepër të varfër. “Me tre lekë e kam nisur jetën në Ballsh”, - thoshte ai duke qeshur. Mbeti jetim qysh në moshën 2-vjeçare. Fillimisht vdiq e ëma e më pas i ati. Në Ballsh e mbanin vetëm dy varre.
Adoleshenca
U largua nga Ballshi në moshën 17-vjeçare, për të kërkuar të motrën në Kavajë. “Në Fier i hipa fshehurazi një kamioni të vjetër dhe arrita në Kavajë. Motra..., si motra. Më priti, më lau”,- kujton aktori. U largua prej andej dha kaloi nga një punë në tjetrën, nga hamall në pjekës kafeje, pastrues... Përfshihet në lëvizjen antifashiste dhe provon edhe qelinë.
Teatri
Dashuria për aktrimin i lindi kur punonte si portier në Kinemanë e Qoseve, ku më vonë u ngrit “Kinema Republika”. I shihte të gjithë filmat, në të gjitha shfaqjet e tyre. Teatrin nisi ta adhurojë, kur të rinj, të sapoardhur nga lufta, nisën të luanin “thiatro”, në skenën që kishin ndërtuar italianët. I shihte pas kangjellave, pa guxuar të hynte brenda, deri sa takoi një ish-mësuesin e tij, të veshur ushtarak.
Prova e parë
Kishte dhjet vjet që nuk zinte libër me dorë. Kishte bërë vetëm 4 klasë shkollë dhe audicioni i parë ishte për faqe të zezë. I dhanë të lexonte një pjesë nga “Hamleti”. “Edhe 30 vjet më vonë kur luajta Hamletin nuk e kuptova dot të tërin”. Kadri Roshi e lexoi rrokje pas rrokjesh monologun duke i bërë masakrimin më madhështor që mund t'i jetë bërë ndonjëherë Hamletit, princit të Danimarkës.  "Urdhëri ishte urdhër. Do s'do.. do ta mbash për kursin 1 vjeçar të aktorëve që do të hapej ato ditë. Deshi s'deshi më mbajti. Po unë e ndieva që më pranoi nga halli, se dukej që atje përtej, ... kjo gjellë çdo gjë mund të ish, po ish gjellë pa mish... Filloi kursi një vjeçar. Bëri një kurs 1-vjeçar dhe me ndihmën e fatit nisi të punonte vetëm si sufler.
Kthesa
Ishte “Martesa” e Gogolit, një shfaqje “klandestine”, që përgatiti ai bashkë me miqtë e tij, Lazër Filipi e Naim Frashëri, që i hoqi vulën e të “patalentuarit”. Bashkë me Lazër Filipin, ishin studentët e parë që shkonin të studionin në Zagreb e më pas në Pragë. Që atëherë karriera e tij mori një tjetër rrjedhë. Interpretoi rreth 120 role në teatër e 20 në kinema, duke arritur të paarritshmen.

Libri
Titullohet “Kadri Roshi - Kalorësi mbi det”. Një ese monografike shkruar nga skenaristi dhe regjisori Petrit Ruka. Janë rreth 190 faqe episode. Për herë të parë botohen edhe 20 fotografi të realizuara gjatë realizimit të dokumentarit “Butrinti i gjallë”. Kushton 500 lekë.

Pango: Nuk paguajmë për pronën tonë

“Nuk kemi përse të paguajmë për diçka që na përket”. Kështu është përgjigjur ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, mbi kthimin në Shqipëri të kokës së Asklepiusit. Pasi është folur e shkruar në mediat shqiptare e të huaja mbi aktpagesën prej 20 mijë eurosh nga ana e futbollistëve Igli Tare e Lorik Canaj, për kthimin e kokës së vjedhur të hyjnisë të mjekësisë, i pyetur nga “Panorama”, ministri Pango, pranon të prononcohet mbi këtë çështje. “Negociuam për sjelljen e statujave greke në Shqipëri dhe i sollëm dhe të njëjtat procedura po ndiqnim edhe për kokën e Asklepiusit dhe ishim në rrugë të mbarë. Kryem procesin gjyqësor për të vërtetuar pronësinë mbi këtë objekt, i cili ishte blerë nga një koleksionist italian në Londër”, - shpjegon Pango, ndërsa shton se procesi gjyqësor vazhdon për të kthyer këtë pronë legjitime shqiptare. “Askush nuk paguan për pronën e vet. Shteti shqiptar nuk e kishte për gjë të paguante këtë shumë, por nuk ka nevojë që një privat të paguajë, që shteti të marrë atë që i takon”, - thotë ai. Ministri thotë se për kthimin e këtij objekti, i cili është shitur në mënyrë të paligjshme në Londër, ndërsa ishte shpallur si një objekt në kërkim, po ndiqen të gjitha procedurat e nevojshme, prej një stafi specialistësh të trashëgimisë kulturore. “Futbollisti Igli Tare, për të cilin kam konsideratë, i ka paguar paratë koleksionistit italian, i cili pretendon se ka faturat, por nuk është e rregullt nga ana ligjore, sepse vetë ky individ është në hetim për këtë çështje, për të vërtetuar blerjen dhe origjinën e mallit, i cili kur blihet shoqërohet me certifikatën përkatëse. Është vepruar gabim. Them se e gjithë kjo është vetëm një show politik”, - thotë Pango. Ndërsa thotë se ky akt bie ndesh me konventat ndërkombëtare, ai thotë se uron që të mos jenë të vërteta prononcimet e futbollistëve, sipas të cilëve, “shteti është treguar indiferent për këtë çështje”.  Odiseja e kokës së Asklepiusit nis qysh në vitin 1991, ku ajo, së bashku me një sërë objektesh të tjera u grabitën në parkun e Butrintit. Koka e Asklepit, një objekt i rrallë, i cili mendohet të datojë në periudhën e vonë helenike, u zbulua në Butrint në vitin 1932 nga Kont Ugolini. Edhe pse koka e hyjnisë të mjekësisë ishte e skeduar si një objekt i vjedhur, në kërkim, ajo duket se ishte ekspozuar ne ankandin e “Christie’s” në Londër, disa vite më vonë dhe iu shit një shtetasi italian. Mësohet se Interpoli ra në gjurmë të këtij objekti në Romë dhe pasi bënë sekuestrimin e tij, njoftojnë Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve. Mësohet se pasi dëgjuan për këtë çështje futbollistët Tare dhe Canaj, i paguan koleksionistit italian, shumën prej 20 mijë eurosh, që ai kishte paguar për blerjen e kokës, me qëllim kthimin e saj në Shqipëri.

Laboratorë turistikë në Apoloni e Divjakë
Specialistë shqiptarë të sektorit të turizmit, përfaqësues të katedrave në disa universitete evropiane nga Italia, Portugalia, Spanja, Franca, etj., zhvilluan dje në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, takimin “Sfidat e turizmit të qëndrueshëm në Shqipëri”. Përfaqësuesi i Universitetit Europian të Turizmit, prof. italian Salvatore Messina prezantoi projektin e parë “Laboratorë të hapur”, që parashikon krijimin e dy laboratorëve në rrethin e Fierit, në Divjakë dhe në Apoloni. “Në Parkun Natyror të Divjakës kemi krijuar një plan zhvillimi të itinerareve specifike, informimit, etj. Ndërsa në laboratorin e dytë në Apoloni, do të vendosim guida turistike për vizitorët, sinjalistika, qendra informacioni, etj. ”, u shpreh prof. Messina.

Zgjidhen artistët emergjentë të Galerisë
Shpallen 6 artistët e rinj emergjentë në Galerinë Kombëtare të Arteve. Komisioni pasi shqyrtoi me imtësi të gjitha dosjet pjesëmarrëse, duke respektuar të gjitha kriteret e vendosura që në shpallje të këtij konkursi, vlerëson dhe klasifikon si fitues 6 pjesëmarrësit e mëposhtëm, dosjet e të cilëve janë më të plotësuarat sipas kritereve të kërkuara, në përputhje me natyrën, vendin e punës dhe kërkesat specifike që GKA ka në këtë periudhë të zhvillimit të saj dinamik. Artistët Emergjentë Fitues janë Alban Hajdinaj, Lubjana Dashi, Bahrije Toptani, Kreshnik Hoxhalli, Oriana Kamberi dhe Ermir Hoxha. Fituesit do të atashohen pranë sektorëve të specializuar të GKA për një periudhë 5-mujore gjatë vitit 2009.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›