E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasja, dhunë e pranga te “Marubi”

 

Rektori i Akademisë “Marubi” Kujtim Çashku së bashku me djalin e tij dhe katër studentë u shoqëruan në polici për më se gjashtë orë pas përplasjeve fizike të ndodhura në Kinostudio. Regjisori i njohur së bashku me studentët u mbajtën në Komisariatin nr.4 për disa orë, pas shoqërimit forcërisht me pretendimin policor se kishin kundërshtuar efektivat blu gjatë zbatimit të urdhrit për lirimin e ambienteve të zëna nga Akademia e Filmit. Forca të shumta të policisë janë shfaqur dje që në orët e mëngjesit në hyrjen e Akademisë dhe rrotull saj, duke kërkuar heqjen e pajisjeve dhe lirimin e ambienteve. Uniformat blu mësohet se kanë tentuar të fillonin një aksion për heqjen e objekteve artistike nga pjesa e oborrit të Akademisë por në të njëjtën kohë, studentë dhe drejtues të “Marubi” fillimisht kanë bllokuar hyrjen e objektit dhe më pas kanë qëndruar aty për disa orë, duke protestuar ndaj veprimeve të policisë. Përfaqësues politikë të opozitës, institucioneve të pavarura dhe shoqërisë civile, kanë qenë të pranishëm në vendin e ngjarjes, duke kërkuar që çështja të zgjidhet me dialog dhe bisedime mes palëve. Ngjarja është bërë shkak për reagime edhe nga Ambasada Amerikane në Tiranë. Zyra e shtypit e kësaj ambasade deklaroi dje se “situata po ndiqet me kujdes”. Sipas burimeve zyrtare, “përfaqësia diplomatike e SHBA në Tiranë nxit palët të negociojnë dhe njëkohësisht të ruajnë qetësinë”.
Konfrontimet
Palët nuk u tërhoqën dhe për këtë shkak mes policisë dhe protestuesve ka pasur konfrontime fizike. Kjo është bërë shkak që efektivat blu të ndërhyjnë, duke ndaluar rreth orës 10:30 regjisorin e njohur Kujtim Çashku, Rektor i Akademisë “Marubi”, si dhe djalin e tij me katër studentë pjesëmarrës në protestë. Regjisori i njohur ka bërë thirrje që forcat e policisë dhe askush tjetër të mos dëmtojnë një institucion arti, siç është akademia. Çashku tha pas daljes nga policia se në Komisariatin nr.4 nuk ishte ushtruar dhunë ndaj tij, mirëpo e kundërta kishte ndodhur me studentët. Gjatë qëndrimit të tij në ambientet e policisë, regjisori Çashku është vizituar nga deputetë të opozitës, të cilët janë shprehur kundër ushtrimit të dhunës nga forcat e rendit. Një pjesë e mirë e frekuentuesve të Akademisë “Marubi”, të cilët kanë paguar për të ndjekur studimet në profilet e ndryshme, prej ditësh nuk kanë arritur të zhvillojnë mësim normal për shkak të vendimit të Qeverisë, që kërkon lirimin e ambienteve ku akademia “Marubi” ushtron aktivitetin e saj në Kinostudio. Konflikti ka filluar disa ditë më parë pas pretendimeve të Ministrisë së Ekonomisë se subjekti i Akademisë së filmit ka zënë më tepër sipërfaqe sesa ajo që i është dhënë në përdorim me kontratë dhe dokumente. Pas ndalimit të Rektorit dhe studentëve të Akademisë “Marubi”, forcat e policisë kanë rrethuar objektin e ndodhur në Kinostudio derisa rreth orës 14:40 regjisori i njohur është lënë i lirë nga Komisariati i Policisë, ku u mbajt i shoqëruar për rreth gjashtë orë. Burimet nga policia thanë se në momentin e shoqërimit të studentëve dhe Rektorit të Akademisë “Marubi”, ka pasur të dhëna se ata kanë kundërshtuar dhe penguar efektivat e policisë në kryerjen e detyrës së tyre. Megjithatë drejtuesi i Akademisë, regjisori i njohur Kujtim Çashku tha se çështja tani do të ndiqet në rrugë ligjore ndërsa vazhdimisht ka bërë thirrje që objekti të mos dëmtohet, duke shpresuar për një marrëveshje me Qeverinë dhe dikasteret në varësi të saj.                       tr.so

Pango: “Marubi” të mos lërë godinën, të paguajë

“Problemi gjen zgjidhje vetëm duke zbatuar detyrimet ligjore”. Kështu u shpreh ministri Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Ylli Pango, i cili dje pranoi t’u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve mbi konfliktin që ka nisur këto ditë me Akademinë e Filmit dhe Multimedias “Marubi”. “Akademia ‘Marubi’, nuk ka pse të largohet nga ambientet që përfiton në ish-Kinostudio, por duhet të paguajë qiranë për godinën me sipërfaqe funksionale prej 1822 metra katrorë, jashtë 200 metrave, të cilat vite më parë janë falur për këtë subjekt”, tha Pango. Ai nuk pranoi se ndaj “Marubit” nuk ka pasur ndonjë sulm policor dhe se drejtues e studentë të shkollës, janë përpjekur të mbrojnë një sipërfaqe që nuk është e tyre. Sipas tij, deri më sot nga drejtuesit e akademisë është refuzuar pagesa e qirasë, për ambientet e tjera, në të cilat ai është zgjeruar gjatë këtyre viteve. Një sipërfaqe kjo, që sipas ministrit është rreth 4000 metra katrorë, duke përfshirë edhe oborrin para godinës. Pango thotë se subjekti privat nuk ka paguar asnjë detyrim ndaj shtetit për periudhën e përdorimit të këtyre ambienteve nga data 4 shkurt 2005, deri në 1 shkurt 2009.

Deputetët e PS-së: Respektoni artistët

Katër deputetë të Partisë Socialiste vizituan dje të ndaluarit nga policia në Akademinë e Filmit “Marubi”, kur ata po mbaheshin në mjediset e Komisariatit nr.4 në Tiranë. Në emër të kolegëve të tij, deputeti Pirro Lutaj është shprehur se konflikti mes Akademisë dhe Qeverisë duhet të zgjidhet me dialog dhe qetësi. Sipas deputetit Lutaj, i cili vizitoi të ndaluarit në mjediset e Komisariatit të Policisë nr.4, ngjarja duhej shmangur sepse artistët nuk duhet të trajtohen në këtë mënyrë. Deputeti tjetër i PS-së Stefan Çipa reagoi në mbështetje të artistëve, duke thënë se ata duhen respektuar nga institucionet e shtetit.

Reagimi i policisë: Çashku në Prokurori

Policia e Tiranës tha dje në mbrëmje, se ndërhyrja e saj ka qenë për të mbështetur punonjësit e “Albafilm”. Me kërkesë të Ministrisë së Kulturës ka ndërhyrë për lirimin e një sipërfaqe trualli toke prej 2924 m2, pronë e Albafilm SHA. “Kjo sipërfaqe është zënë forcërisht nga subjekti ‘Ora film’ me përfaqësues shtetasin Kujtim Çashku. Rreth orës 09:30, në momentin që drejtuesit dhe punëtorët e Albafilm sh.a. kanë filluar zbatimin e vendimit të Këshillit të Ministrave janë kundërshtuar, fyer e goditur nga shtetasit Kujtim Çashku, Eol Çashku, Bashkim Radani, Sahit Kanaci dhe Royjal Elezaj. Ndaj këtyre shtetasve, është bërë kallëzim nga drejtori i Albafilm sh.a. Fatmir Musaj, juristi i ‘Albafilm’, Eqerem Kokolari, si dhe është marrë deklaratë e punonjësit të Albafilm sh.a., Rustem Bitri. Strukturat e policisë kryen veprimet procedurale në bashkëpunim me Prokurorinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›