E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bombola e gazit, vret 73-vjeçaren

 

Etleva Delia

Një grua e moshuar u asfiksua dhe më pas vdiq nga flakët që përfshinë apartamentin ku ajo banonte, në katin e tretë të një pallati në rrugën “Margarita Tutulani” në Tiranë. Hasime Hoxha, 73 vjeç, ka gjetur vdekjen si pasojë e plasjes së një bombole gazi 8-litërshe, që është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike në kuzhinë. E moshuara ka kërkuar ndihmë, por duke qenë se ishte e paralizuar, nuk ka arritur të gjente çelësin për të dalë nga apartamenti. Burime nga policia bënë të ditur se janë njoftuar nga një fqinje e të moshuarës dhe kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Madje një oficer policie ka rrezikuar jetën, teksa ishte futur në apartament për të nxjerrë jashtë 73-vjeçaren. Ka qenë ndërhyrja e RENEA-s që ka shmangur viktima të tjera nga zjarri i fuqishëm që ra mëngjesin e djeshëm, duke evakuuar edhe 12 banorë të tjerë në pallat, të cilët ishin bllokuar në apartamentet e tyre.
ZJARRI
Një apartament është përfshirë nga flakët mëngjesin e djeshëm në kryeqytet. Ngjarja ka ndodhur në zonën e Tiranës së Re, në rrugën “Margarita Tutulani, rreth orës 11:00. Sipas burimeve nga policia, grupi hetimor që është ngritur për përcaktimin e shkaqeve të zjarrit, ka përcaktuar paraprakisht një shkëndijë elektrike, si pikënisje të flakëve, të cilat më pas kanë qenë më të fuqishme, si pasojë e plasjes së një bombole gazi 8-litërshe që ndodhej në kuzhinë. Nga zjarri është shkrumbuar totalisht apartamenti në katin e tretë të pallatit, ku prej një viti jetonte 73-vjeçarja Hasime Hoxha, me dy mbesat e saj, por fatmirësisht nuk ka pasur dëmtime në apartamentet ngjitur dhe as të plagosur të tjerë. Gruaja e moshuar, në momentin e rënies së zjarrit ka qenë vetëm në shtëpi, pasi mbesat kishin shkuar në punë. Ajo është përpjekur të kërkojë ndihmë, por duke qenë se ishte e paralizuar, nuk ka mundur të lëvizë dhe të dalë nga apartamenti, duke mbetur e vdekur, fillimisht nga asfiksia, më pas edhe nga flakët që kanë shkrumbuar apartamentin.
NDERHYRJA E POLICISE
Ka qenë një fqinje e të moshuarës, Rosela Jashari, e cila banon në apartamentin ngjitur me atë që u dogj, ajo që ka lajmëruar policinë. Fillimisht në vendngjarje kanë shkuar efektivët e Komisariatit nr.2, e më pas shërbimi zjarrfikës dhe forcat speciale RENEA. Gjatë ndërhyrjes për të shpëtuar nga flakët të moshuarën, një polic është rrezikuar teksa është futur nga dritarja e apartamentit me vinç dhe nuk ka arritur të hapte derën, por ndërhyrja e RENEA-s ka bërë që të shpëtojë nga flakët oficerin e policisë dhe të nxjerrë nga apartamenti Hasime Hoxhën, e cila kishte humbur jetën. Policia ka arritur që të evakuojë edhe 12 persona që kishin mbetur të bllokuar në apartamentet e tyre nga flakët dhe tymi.

Fqinja: Lajmërova policinë se s’munda të hyj në shtëpi

TIRANE - Romina Jashari është fqinja më e afërt e familjes Hoxha, pasi apartamenti i saj është ngjitur me atë që u shkrumbua dje. Në një prononcim për gazetën “Panorama”, ajo thotë që fillimisht ka dëgjuar të qara dhe thirrje për ndihmë. “Kam dalë fillimisht në ballkon, sepse mendova se kishte ndodhur ndonjë gjë në oborrin e pallatit, më pas kam dalë në dritaren e tualetit, që është ngjitur me dritaren e plakës dhe kam dëgjuar që ajo po kërkonte ndihmë. E pyeta se çfarë kishte ndodhur dhe ajo më tha që po digjej shtëpia dhe më kërkonte t’i hapja derën”, është shprehur fqinja e 73-vjeçares. Më pas ajo ka treguar që ka shkuar te dera dhe nuk e ka hapur dot. “Dola prapë te dritarja dhe i thashë që të më jepte çelësin, por ajo thoshte që nuk po e gjente dot dhe se nuk mund të lëvizte. Kur e pashë që nuk kisha mundësi të bëja asgjë, telefonova policinë”. Ndërkohë Romina Jashari ka treguar edhe për momentin që ka mbërritur policia. “Unë shihja që dilte tym nga dritarja, por në momentin që ka mbërritur policia ka pasur edhe një shpërthim të fuqishëm, siç duket ka qenë bombola e gazit. Situata u bë shumë e keqe në momentin që një polic hyri nga dritarja, pasi rrezikoi edhe ai të mbetej brenda, pasi nuk po e hapte dot derën. Por fatmirësisht nuk pati më viktima nga ky zjarr, policia arriti të shmangte më të keqen”, ka mbyllur bisedën fqinja e Hasime Hoxhës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›