Zënka mes kryeplakut dhe policit, nisin hetime për dy palët
TIRANË - Prokuroria e Sarandës ka nisur një procedim penal për kryeplakun e fshatit Shëndëlli dhe për efektivin e policisë me të cilin është konfliktuar ai. Burime zyrtare të Policisë së Shtetit bëjnë të ditur se janë përfshirë në hetim kryeplaku i Shëndëllisë, Petrit Doda, si dhe një punonjës policie që dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj tij. Sipas tyre, “Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Sarandë ka filluar, procedimin penal ndaj shtetasit Petrit Doda, për ''fyerje për shkak të detyrës”, pasi ka goditur oficerin e policisë, si dhe procedimin penal ndaj punonjësit të policisë për ” kryerje të veprimeve arbitrare”. Në të njëjtën kohë SHKB ka filluar hetimin e saj lidhur me këtë çështje. Për të njëjtin rast , Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka ndërmarrë veprimet për inspektimin e verifikimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje, si edhe për të gjykuar veprimet e mosveprimet e oficerëve të policisë. Ndërkohë në të njëjtin sqarim theksohet, se Petrit Doda njihet si person me precedentë penalë dhe ka qenë disa herë të tjera i arrestuar e dënuar brenda 3 vjetëve të fundit për veprat penale të ” të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit ” si dhe për veprën penale të vjedhjes.
I vë zjarrin arës, rrezikohen puset e naftës
FIER- Pakujdesia e një fshatari për pak sa nuk ka shkaktuar një katastrofë të vërtetë. Ferit Grembi banor i fshatit Zharrëv i qytetit të Fierit, i ka vënë flakën parcelës së tij dje pasdite, për ta bërë gati për të mbjellat, pa menduar se flakët mund të arrinin puset e naftës. Flakët, të ndihmuara dhe nga era kanë dalë jashtë kontrollit dhe i janë drejtuar puseve të naftës, të cilat ishin shumë pranë parcelës.
Për fat të mirë forcat e policisë dhe zjarrfikësit kanë ndërhyrë në kohë, kur zjarri sapo kishte përfshirë një pus nafte, duke arritur të shmangin një katastrofë të vërtetë. Ata kanë arritur të izolojnë menjëherë zjarrin, duke shmangur përhapjen e tij në puset e tjera të naftës. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Fierit bëjnë të ditur se autori i zjarr-vënies Ferit Grembin është ndaluar dhe po punohet për zbardhjen e mëtejshme të ngjarjes. Gjatë kësaj vere, zjarret e vëna në mënyrë të pakujdeshme nga fshatarë në disa rrethe të vendit janë bërë shkas për djegien e masive të tëra pyjore, dhe të kullotave, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme. Me dhjetëra persona janë arrestuar në Fier, Vlorë, Lushnje, Mallakastër, Sarandë dhe Gjirokastër gjatë dy muajve të fundit. Rikthimi i temperaturave të larta kërcënon sërish rënien e zjarreve gjatë kësaj periudhe.
30 Korrik 2008