E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet polici, hetimet e nxorën ishte në kërkim prej 9 vjetësh për grabitje me armë



GJIROKASTËR – Një punonjës policie ka arritur ti shpëtojë drejtësisë për 9 vjet pasi kishte kryer një grabitje me armë në vitin 1999, por vetëm dje ai është prangosur nga kolegët e tij. Burimet zyrtare të Qarkut të Gjirokastrës bëjnë të ditur se mbrëmë, rreth orës 19.00, është bërë ndalimi i shtetasit Refat Kanushi, lindur në Zhapokikë të rrethit Tepelenë dhe banues në fshatin Arshilengo të rrethiot Gjirokastër. 29-vjeçari i prangosur, ishte punonjës i qarkullimit rrugor në komisariatin e Tepelenës, kur i janë vënë prangat. Ndaj tij kanë nisur hetimet në lidhje me një grabitje me armë, së bashku me disa persona të tjerë, e ndodhur 9 vjet më parë në aksin rrugor Tepelenë-Ballsh.
Arrestimi
Rihapja e dosjeve të vjetra në qarkun e Gjirokastrës, ka çuar në identifikimin dhe prangosjen e një punonjësi policie, i cili kishte arritur për shumë kohë ti shpëtojë drejtësisë, duke qenë i përfshirë në strukturat e rendit. Refat Kanushi nuk ka arritur të fshehë krimin e tij, pasi hetimet e bëra për një kohë të gjatë, kanë arritur të faktojnë veprën penale që kishte kryer. “Ndalimi i tij u bë në bazë të urdhërit të Prokurorit të Rrethit Gjirokastër, për ekzekutimin e vendimit penal, Nr 111, datë 29.07.08, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, e cila ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për këtë shtetas”, - thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Qarkut. Sipas tyre, 29-vjeçari Kanushi akuzohej për veprën penale të “Vjedhjes me armë,në bashkëpunim”. Deri dje Refat Kanushi ka qenë në detyrë. Por mbrëmë, agjentët e Sektorit të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut, në bashkëpunim me specialistët e policisë kanë bërë ndalimin e tij.
Prej disa kohësh, i dyshuari për grabitje me armë ishte me detyrë punonjës policie në Seksionin e Qarkullimit Rrugor në Komisariatin e Policisë Tepelenë.
Krimi
Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Gjirokastrës bëjnë të ditur se ky shtetas dyshohet se më datën 20.02.1999, në bashkëpunim me dy shtetas të tjerë, emrat e të cilëve nuk jepen për arsye hetimi, në rrugën nacionale Gjirokastër – Ballsh, në afërsi të fshatit Vasjar të rrethit Tepelenë, rreth orës 01.00, të mëngjesit, i kanë dalë përpara me maska dhe me armë një automjeti tip furgon nga qyteti i Përmetit, ku udhëtonin 3 shtetas nga Përmeti për në Tiranë. Sipas zëdhënësit Gentian Mullai, “tre grabitësit, nën kërcënimin e armëve, u kanë vjedhur rreth një milionë e dyqind mijë lekë të vjetra dhe sende të tjera udhëtarëve. Ata i kanë torturuar të gjithë pasagjerët për rreth 4 orë, deri në zbardhjen e ditës dhe më pas i kanë lënë të lirë. Të dëmtuarit kanë bërë denoncimin që në shkurtin e vitit 1999, por hetimet nuk arritën të zbardhnin të vërtetën deri para pak ditësh. Rihapja e dosjeve të vjetra bëri të mundur që edhe ky rast të zbulohej. Mes autorëve të këtij krimi rezultoi edhe punonjësi i Policisë së Shtetit, i cili do të përballet me akuzën e “grabitjes me armë, në bashkëpunim”.
Materialet në ngarkim të Refat Kanushit i kaluan prokurorisë së Gjirokastrës. Ndërkohë, po vazhdojnë hetimet për kapjen e dy personave të tjerë, të përfshirë në këtë ngjarje.

Blindohet rruga e kosovarëve pas grabitjes në Qafë Mali

KUKËS - Siguria rrugore në aksin automobilistik Kukës-Tiranë është rritur gjatë javës së fundit pas shfaqjeve të maskave në Qaf-Mal në zonën e Fushë-Arrëzit ku vetëm tre ditë më parë u grabitën dy makina udhëtarësh. Ndërkohë mësohet se fluksi i turistëve kosovarë në fund të këtij muaji është dyfishuar. Kalimtarët tashmë shprehen se janë të sigurt për shkak të patrullave që janë thuajse në çdo kilometër. Drejtoria e Policisë së Qarkut të Kukësit ka hartuar një sërë masash në përballimin me sukses të fluksit turistik ku janë në gatishmëri 5 postblloqe policore dhe 15 efektiva rrugore që patrullojnë aksin. Ndërkohë edhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë të ardhur nga qyteti i Laçit patrullojnë këtë rrugë. Drejtoria e Policisë së Qarkut Kukësit, Muharrem Furriku, thotë së çdo kilometër është i sigurt dhe se nuk ka më rrezik.

30 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›