Policia, tarifa të reja për parkimin e mjeteve të bllokuara
Luan Kondi
Tiranë – Ndryshojnë tarifat e parkimit të mjeteve të bllokuara nga policia. Sipas njoftimit nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, gjithçka ka ardhur pas udhëzimit të përbashkët të disa kohëve më parë midis Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Brendshme.
Ndryshimi
Tanimë është përcaktuar ndryshimi i tarifave, që iu ka shkuar për zbatim shërbimeve të Qarkullimit Rrugor në Tiranë. Tarifat e shërbimeve që policia realizon ndaj të tretëve, për të ardhurat nga veprimtaria ekonomike, tanimë do të jenë standarde.
Për ditët e qëndrimit të mjeteve të bllokuara në ambientet e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë, tarifat standarde do të jenë nga 200 deri në 1500 lekë sipas llojit të mjetit. Është përcaktuar që tarifa ditore për parkimin e motorit të jetë më minimalja, pra në shumën prej 200 lekë, ndërsa kjo thuajse është 2,5 herë më e madhe për parkimin e autoveturave. Duke iu referuar tabelave tarifa për parking kamioni ose furgon më pak se 3.5 ton do të jetë 700 lekë, kurse 1000 lekë do të paguajnë kamionët deri në 10 ton si dhe autobusët 12 + 1 vendesh. Tarifa për parking kamioni mbi 10 ton dhe autobusi 50 +1 vendesh shkon në 1500 lekë.
Drejtuesit shpjegojnë se për shërbim transporti për mjetet e bllokuara nga shërbimi i Qarkullimit Rrugor, do të jetë në shumën prej 4000 lekësh.
Pagesat
Policia njofton qytetarët që kanë mjete të bllokuara në ambientet e Komisariatet të Policisë Rrugore, të përshpejtojnë pagesat dhe detyrimet e tyre financiare, të parkimit të mjeteve të bllokuara. Tarifat e reja financiare, për parkimin e mjeteve të bllokuara në ambientet e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë, ka filluar të aplikohet që më datë 27 Korrik 2008. Madje, mos pagimi i tarifave përbën shkelje të dispozitave ligjore të Kodit Rrugor, ku nenet 203, 178 dhe 132 specifikohet se të ardhurat nga masat administrative me gjobë për shkeljet e parashikuara nga nenet e Kodit Rrugor, paguhen nga kundërvajtësi brenda 5 - ditëve nga dita që vendimi ka marrë formë të prerë. Ndërkohë, pas kalimit të këtij afati, për çdo vonesë, paguhet me 2 për qind kamatë deri në 1 (një muaj). Ndërsa kur gjoba nuk paguhet ose nuk nxirret dot nga të ardhurat e shkelësit, për rastet e drejtuesit të mjetit me motor, bëhet ndalimi i mjetit deri në 3 (tre muaj) dhe pas këtij afati kryhet shitja e mjetit në ankand, duke i dhënë diferencën në lekë shkelësit. Në të gjitha rastet e parashikuara me gjobë, arkëtimi i vleftës do të bëhet brenda 5 - ditëve në zyrat administrative të përcaktuara (që kanë të bëjnë me zyrat e hapura nga Posta Shqiptare). Të ardhurat nga gjobat për shkeljet e parashikuara nga ky kod i kalojnë në masën 60 për qind organit që ka verifikuar shkeljen. Qytetarët debitorë duhet të shlyejnë detyrimet e tyre, për mjetet e bllokuara, që ndodhen të parkuara në ambientet e Komisariatit të Policisë Rrugore, pasi çdo ditë qëndrimi dhe vonese është në dëmin financiar të tyre.
Shifra
200 lekë
është tarifa për parking motori
500 lekë
është tarifa për parking veture
700 lekë
është tarifa për parking kamioni ose furgon (më pak se 3.5 ton)
1000 lekë
është tarifa për parking kamioni (3.5 ton deri në 10 ton) dhe autobusi (12 +1 vendesh)
30 Korrik 2008