E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi, personat mbi 18-vjeç përfitojnë zgjatje të lejeqendrimit për motive familjare



TIRANË - Një shtetas në moshën 18-vjeçare, i pajisur me leje qëndrimi për motive familjare në Itali, ka të drejtën e ripërtëritjes së saj. Ky është vendimi më i fundit i marrë nga Gjykata Administrative Rajonale dhe e Kasacionit në Itali. Burime zyrtare nga Drejtoria e Migracionit në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta shprehen se ndryshimi i vendimit është bërë pak ditë më parë. . Sipas tyre, “vendimi parashikon që fëmija me mbushjen e moshës së rritur 18 vjeç, ka të drejtën e ripërtëritjes së lejes së qëndrimit për motive familjare, me të njëjtën kohëzgjatje si e prindit, por sidoqoftë, pasi të jenë plotësuar kushtet e realizimit të të ardhurave dhe të strehimit, të parashikuara për ribashkimin familjar”. Sipas vendimit, prindi duhet të zotërojë një strehim të përshtatshëm, të certifikuar nga komuna, apo dhe një të ardhur të mjaftueshme, proporcionale me numrin e personave me të cilët bashkëjetohet dhe të regjistruar në gjendjen familjare. Sipas specialistëve të Drejtorisë së Migracionit në Ministrinë shqiptare të Punës, situata e të miturit në Itali është objekt i formave të ndryshme të mbrojtjes dhe të përkujdesit, që frymëzohen nga respektimi i të drejtave themelore, universalisht të njohura, pavarësisht nga shtetësia e të miturit, të drejta që konsiderohen si të pacenueshme. “Nëse është i pranishëm prindi me qëndrim të rregullt në Itali, fëmija i mitur pason gjendjen juridike të prindit me të cilin bashkëjeton, pra gëzon të drejtën e lëshimit të një lejeje për motive familjare", shpjegojnë specialistët.

30 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›