E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krim bashkëshortor në dhomën e takimeve, i dënuari vret gruan dhe veten



PEQIN – Krimi në familje është zhvendosur në dhomat speciale të burgut, ku një i dënuar ka mbytur bashkëshorten e tij pasi dyshonte se e tradhtonte dhe më pas i ka dhënë fund jetës së tij duke përdorur rrymën elektrike. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se Minir dhe Thëllëza Muço, përkatësisht 33 vjeç dhe 27 vjeçe, banues në rrethin e Pogradecit janë gjetur të vdekur në mjediset e burgut të Peqinit. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve bëjnë të ditur se “i dënuari Minir Muço është vetëvrarë me rrymë elektrike. Ndërsa për bashkëshorten mendohet që është mbytur nga i shoqi. Në drejtim të burgut të Peqinit kanë shkuar edhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra.
Ngjarja
Thëllëza kishte ardhur nga Pogradeci për të takuar bashkëshortin e saj në qeli bashkë me vjehrrin dhe vajzën e saj 6-vjeçare. Pasi ka mbaruar takimi me të gjithë pjesëtarët e familjes, vajza ka dalë jashtë qelisë, duke lënë babanë dhe nënën e saj në dhomën speciale. Asgjë nuk është dëgjuar në mjediset e brendshme vetëm kur gardianët kanë hyrë brenda në dhomë, ata janë shtangur kur kanë parë dy trupat e tyre pa jetë të 33-vjeçarit të dënuar dhe bashkëshortes së tij 27-vjeçare.
Hetimet
Fillimisht u mendua për një vdekje aksidentale të dy bashkëshortëve. Më pas, kjo hipotezë ra. Sipas ekzaminimeve, rezultonte se rreth qafës se Minir Muços gjendej një tel korrenti. Kjo i ka bërë autoritet e burgut të Peqinit të dyshojnë për një vetëvarje me korrent të dy bashkëshortëve. Gardianët pohojnë se nuk kanë dëgjuar të bërtitura nga dhoma ku gjendeshin bashkëshortët. Kjo i ka shtyrë hetuesit të mendojnë se mund të bëhet fjalë për një vrasje dhe më pas një vetëvrasje. Sipas të dhënave në grupin hetimor, dyshohet se Minir Muço e ka mbytur më parë bashkëshorten e tij dhe më pas i ka dhënë fund edhe jetës së tij duke përdorur kabullin e ventilatori që gjendej në tavanin e dhomës. Në trupin e Thëllëza Muços janë gjetur edhe shenja dhune, të cilat i kanë çuar ekspertët të hedhin hipotezën se ky rast ishte një krim i pastër familjar. Trupi i pajetë i Minirit dhe trupi i bashkëshortes së tij janë çuar në morgun e Tiranës
Nga të dhënat e para, mendohet se i dënuari me 22 vjet burg për vrasje, ka pasur dyshime se bashkëshortja e tij e tradhtonte. Burimet e Drejtorisë së burgjeve bëjnë të ditur se “nga biseda me të atin, çifti ka pasur probleme më parë, por nuk mendonte se mund të arrinte në këtë veprim dhe se vdekja ishte e paramenduar”.
Miniri bashkë me dy vëllezërit Muço vuajnë dënimin në të njëjtin burg pasi janë dënuar për tentativë vrasje dhe armëmbajtje pa leje.
Po siguria?
Ky shënon rastin e parë të një krimi të ndodhur në qeli, ku gjen vdekjen jo vetëm i dënuari, por edhe personi që shkon për ta takuar në dhomën speciale. Për shkak të konfidencialitetit të marrëdhënieve mes të dënuarve dhe bashkëshorteve të tyre, është e pamundur që të mbahen nën kontroll të gjithë veprimet që ndodhin në vendin e takimeve sekrete. Tashmë, kjo shtron çështjen se çfarë masash duhet të ndërmerren për të garantuar jetën e personave edhe në vende të tilla si dhomat e takimeve speciale.

Dhuna në familje, denoncohen dy persona në një ditë

DURRËS – Thuajse çdo ditë regjistrohen kallëzime për dhunë në familje në qarkun e Durrësit. Vetëm gjatë dy ditëve të fundit dy shtetase kanë denoncuar bashkëshortet e tyre në komisariatin e policisë së qytetit bregdetar. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se ditën e hënë në mbrëmje pranë Seksionit për Mbrojtjen e të Miturve e Dhunës në Familje shtetaset S.B, dhe H.B., kanë denoncuar bashkëshortët e tyre. Sipas njoftimit zyrtar, 57-vjeçarja S.B., “ka deklaruar se bashkëshorti i saj, shtetasi Agim Belba ka ushtruar në mënyrë sistematike ndaj saj dhunë fizike e psikologjike, duke e keqtrajtuar, kërcënuar dhe ofenduar”. Për të njëjtin motiv, edhe 46-vjeçarja H.B., ka bërë kallzim ndaj bashkëshortit të saj Arjan Bello. “Lidhur me dy rastet në fjalë, u kryen veprimet e para hetimore; u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes”, - thotë zëdhënësja e Policisë së Qarkut, Ornela Cako. Sipas saj, materialet iu kaluan për ndjekje Gjykatës së Durrësit. Vetëm dy ditë më parë u shënuan tre raste të hetimit për dhunë në familje në rrethet e Durrësit, Librazhdit dhe Tiranës. Fundjavën e kaluar shtetasi Halil Roshi masakroi me sëpatë bashkëshorten e tij, por u arrestua 13 orë pas krimit. Nga hetimet rezultoi se motivi i vrasjes ishte ai i konfliktit të shkaktuar për xhelozi. Gjatë muajve të fundit janë regjistruar raste në rritje të dhunës dhe krimit në familje.

Asgjësohen 330 rrënjë Cannabis Sattiva, asnjë i arrestuar

PËRMET – Operacionet anti-Cannabis po vazhdojnë edhe në Jug të Shqipërisë, ku vetëm gjatë dy ditëve janë asgjësuar 330 rrënjë bimë narkotike. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Gjirokastrës bëjnë të ditur se dy ditë më parë, rreth orës 15.30, efektivat e policisë së Përmetit, në bashkëpunim me Sektorin e Luftës Kundër Krimit të Organizuar, kanë zhvilluar një operacion në fshatin Miçan të komunës Frashër. Si rezultat i këtij operacioni, u evidentuan në një përrua të këtij fshati 3 parcela të hapura rishtas për kultivim të bimëve narkotike, të cilat ishin të mbjella me bimë narkotike. Burimet policore shprehen se në secilën parcelë janë evidentuar nga 110 bimë narkotike të llojit Cannabis Sattiva, të cilat varionin nga 130 centimetra deri në 160 centimetra të larta”. “Gjithësej u evidentuan 330 rrënjë bimë narkotike të llojit Cannabis Sattiva, të cilat u ashësuan në vend me anë të djegies”, - thuhet në njoftimin e policisë. Sipas tij, “po punohet për të evidentuar dhe kapur autorët e mundshëm të këtyre bimëve narkotike”. Në disa zona të Jugut kanë vazhduar operacionet anti-drogë, ku ka pasur edhe disa persona nën hetim për kultivim të Cannabis Sattiva në fshatrat Lazarat, Lungjëri, Antigone, etj..

Shpronësimet publike, 192 qytetarë kërkojnë dëmshpërblimin

FIER - Rreth 192 qytetarë fierakë që u është cenuar prona për shkak të investimeve publike kërkojnë nga bashkia të drejtën e dëmshpërblimit. Drejtuesi i Departamentit Juridik të Bashkisë së Fierit, Luan Çala, tha se "vetëm gjatë dy viteve të fundit numri i qytetarëve që u është prekur prona private shkon në rreth 192". Sipas tij, Bashkia u ka njohur të drejtën për kompensim vetëm 60 qytetarëve të shpronësuar, me një sipërfaqe totale rreth 4000 m 2 tokë truall. "Bashkia vlerëson paraprakisht pronat e shpronësuara, të cilin ia përcjell Ministrisë së Brendshme për të vendosur qeveria", theksoi Çala.

30 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›