Adoleshentet tentuan mbytjen pasi iu zbulua vendstrehimi
DURRES/ OERD ULQINI
Kanë dalë nga gjendja e rrezikut për jetën dy adoleshentët që i mbijetuan tentativës për vetëflijim të përbashkët. Në orët e para të mëngjesit dy vajzat nga Librazhdi janë përcjellë me autoambulancë drejt shtëpive, në prani edhe të familjarëve të shumtë të një fisi të tërë.
Mjekët thanë se “falë ndërhyrjes së shpejtë me borsa me ujë të ngrohtë vajzat dolën nga gjendja e hipotermisë”. Me normalizimin e temperaturës trupore në 36.5 gradë celsius mjekët gjykuan se ato nuk kishin ç’të bënin më në spital, por sidoqoftë burimet thanë se situata shëndetësore po monitorohet nga bluzat e bardha, të cilat u kanë kryer kontrolle mjekësore në shtëpi. Madje mjekët pohuan se për rikuperimin e vajzave, veç mjekëve të urgjencës janë angazhuar edhe psikologë, në mënyrë që t’i gjenden afër në këto çaste tronditjeje. Ndërkohë, policia ka rindërtuar edhe arratinë 24 orëshe të vajzave, E.K., 16 vjeçe dhe S.B., 17 vjeçe. Mësohet se dy adoleshentet, vajza tezesh, kishin shkuar në shtëpinë e një shoqeje të klasës së 16-vjeçares për të kaluar natën, duke i thënë asaj se “kemi marrë leje nga prindërit”. Por me t’u diktuar vendstrehimi, në kushtet e një tronditjeje të thellë psikike kushërirat morën vendimin e tmerrshëm për t’u ndarë nga kjo botë. Pas sinjalizimeve nga shoqja që i kishte strehuar, policia kishte rënë në gjurmë të vajzave. Për fatin e mirë, ndonëse ishte errësirë, dëshmitarët në plazh dhe skuadrat e policisë ndodheshin shumë afër tyre, duke shpëtuar dy jetë nga kthetrat e vdekjes. Hetuesit kanë zbardhur faktin se E.K., nxënësja e vitit të parë të gjimnazit “Olsi Lasku” në Shkozet kishte ngelur në lëndët e matematikës dhe të fizikës. Si rrjedhojë, duke mos e duruar dot trysninë e prindërve ajo i rrëfen historinë kushërirës së saj, 17-vjeçares S.B. lindur në Librazhd, e cila nuk e kishte vazhduar shkollën e mesme. Duket se tentativa për vetëvrasje e kushërirës S.B. nuk ishte gjë tjetër veçse një “solidarizim” me dramën që po kalonte vajza e tezes. Kjo ngjarje u zbardh fare qartë për hetuesit teksa ata shfletonin fletoren-ditar të shtetases E.K., e cila kishte shpjeguar në një fletë të plotë vendimin e marrë bashkë me kushërirën, me qëllim për t’u zhdukur. Të shtyra nga dëshpërimi dhe nga epitetet si “të paarsimuara” që u vinin prindërit, vajzat e mitura ndërmorën hapin, i cili për fat të mirë u parandalua në kohë.