Gjermania, Greqisë: Shisni ishujt të paguani borxhet
Dy deputetë gjermanë të koalicionit të Anxhela Merkelit thanë dje se Greqia duhet të shesë ishujt e pabanuar, kompanitë shtetërore dhe prona të tjera për të mbledhur para për larjen e borxheve. Raportimi i gazetës më të lexuar gjermane, “Bild”, mbi “këshillat” e politikës gjermane për Greqinë, mbante titullin “Shisni ishujt, ju grekë të falimentuar! Dhe shisni edhe Akropolisin!”. “Një palë në falimentim duhet të përdorë çdo gjë që ka për të mbledhur paratë dhe t’i përgjigjet kreditorëve të saj”, tha Josef Schlarmann, anëtar i Unionit Kristian Demokrat të kancelares Angela Merkel, i cili drejton përfaqësinë e 40,000 biznesmenëve, aleatë me partinë. “Greqia ka ndërtesa, kompani dhe disa ishuj të pabanuar, të cilët tani mund të përdoren për të kthyer borxhet”, shtoi ai. Edhe eksperti financiar i Partisë Demokratike të lirë, Frank Schaeffler, tha se Greqia duhet të heqë dorë nga aksionet e kompanive dhe gjithashtu të shesë prona, për shembull ishuj të pabanuar. Përgjigja nga pala greke mbi këtë deklaratë ka qenë e ftohtë. Zëvendësministri i Jashtëm grek, Dimitris Droutsas, u pyet mbi këtë ide në një intervistë në televizionin ARD. “I kam dëgjuar sugjerimet që ne duhet të shesim edhe Akropolisin”, tha Droutsas. “Sugjerime të tilla nuk janë të përshtatshme në këtë kohë”, shtoi ai. Gjermanët kanë reaguar shumë keq ndaj raporteve se vendi i tyre mund të jetë pjesë e palëve për të ndihmuar Greqinë. Vetë vendi me ekonominë më të fuqishme të Evropës sapo po del nga recesioni më i keq në periudhën e pasluftës. Kancelaria gjermane, Anxhela Merkel, nën presionin e votuesve gjermanë dhe partnerëve të koalicionit të saj, për të kufizuar mbështetjen për Greqinë e mbytur në borxhe, po tenton të mbajë një qëndrim të kujdesshëm, që mund të heqë shpresat për çdo plan të BE-së për ndihmë financiare. “është vetë Greqia e përgjegjshme për të zgjidhur problemet e saj buxhetore dhe kancelaria gjermane Anxhela Merkel do të tregohet shumë e qartë për këtë në takimin që do të zhvillojë me kryeministrin grek, Jorgo Papandreu”, tha Ministri gjerman i Ekonomisë, Rainer Bruederle. Ai shtoi se zgjidhja e problemeve financiare nga vetë ajo është përgjigja e krizës, dhe jo ndihma financiare. Por kryeministri grek, Papandreu, e ka gjetur rrugëdaljen dhe një përgjigje të fortë për homologët evropianë që po i kthejnë shpinën. Kundërpërgjigjja e tij për të gjitha format e refuzimit, ishte paralajmërimi se edhe pse është anëtar i eurozonës, ai do t’i drejtohet për ndihmë FMN-së së dollarit, për të shpëtuar vendin e tij nga rrënimi total. Deklarata e fortë ka stepur liderët e tjerë evropianë, të cilët tani duhet të mendohen mirë përpara se të thonë ‘jo’ pasi rrezikojnë fuqinë e monedhës së përbashkët. Me dëshminë se eurozona nuk mund të zgjidhë as problemet e veta. “Nuk do të ishte e përshtatshme të paraqisnim FMN-në si burim ndihme për Greqinë ndërsa vendi po tenton të përmbushë të gjitha angazhimet për borxhin e saj”, tha Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Jean-Claude Trichet në një konferencë dje. Trichet vlerësoi FMN-në për ndihmën teknike që po i jep Greqisë në përpjekjet për të ‘mundur’ deficitin buxhetor. Trichet tha se premtimi i liderëve të Bashkimit Evropian muajin e kaluar për të ndihmuar Greqinë nëse do të duhej ishte “i rëndësishëm”.
Papandreu rrezikon euron, ndihmë dollarit
Kryeministri grek, Jorgo Papandreu, ka paralajmëruar se nëse masat e ashpra për përmirësimin e borxhit buxhetor të miratuara këtë javë nga Qeveria e tij nuk i bëjnë përshtypje homologëve në zonën euro, Greqia do t’i kërkojë ndihmë FMN-së. “Që sot problemi nuk duhet të konsiderohet ‘grek’, ne po bëjmë ç’të mundemi madje më shumë. Prandaj tani është radha e Evropës”, tha Papandreu. Nëse BE dhe tregjet nuk përgjigjen “siç duam ne, për shkak të qëndrimeve spekulative, burimi ynë i fundit do të jetë Fondi Monetar Ndërkombëtar”. Papandreu do të udhëtojë sot për në Berlin, për t’u takuar me kancelaren gjermane, Anxhela Merkel, ndërsa të dielën do të shkojë në Paris për të takuar Presidentin, Nikolas Sarkozi. Duke u përballur me hezitimin gjerman dhe francez për të ndihmuar një bashkëpërdorues të euros, ai do t’i drejtohet agjencisë huadhënëse ndërkombëtare me bazë në Uashington. Por marrja hua në FMN nga një anëtar i eurozonës, është një lëvizje paprecedent, e cila tregon se monedha euro nuk mund të përballojë as problemet e veta, ndërkohë që brenda unionit po bëhet thirrje për të formuar Fondin Monetar Evropian.