E Shtunë, 31 Tetor 2026

Adoleshenti: Më përdhunuan në qeli

Një i mitur që vuan dënimin në qeli me të rriturit ka bërë një denoncim që hedh dyshime për një skandal në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë të Korçës. Ai ka denoncuar shokun e qelisë për përdhunim, por prokuroria e rrethit ka arritur në konkluzionin se ai ka bërë akuzë të rreme, në shenjë hakmarrjeje ndaj të burgosurve të tjerë.

Ngjarja është denoncuar në datën 19 shtator, kur një 16-vjeçar ka depozituar një padi, pasi pretendonte se ishte dhunuar seksualisht në ambientet e qelisë. Skandali ka tronditur autoritetet e burgut të sigurisë së lartë dhe Prokuroria e Rrethit Korçë është vënë menjëherë në lëvizje dhe ka nisur verifikimet për ngjarjen e rëndë. Burime zyrtare të Prokurorisë së Korçës sqarojnë se kanë nisur hetimet për rastin e një të mituri, i cili pretendonte se ishte përdhunuar në ambientet e burgut, ku po mbahet i izoluar në pritje të gjykimit për një krim të rëndë. Sipas prokurorisë, i mituri ka pretenduar se është përdhunuar nga persona me të cilët ndante qelinë.

Pas denoncimit të 16-vjeçarit korçar, prokuroria ka nisur verifikimet dhe ka hapur hetimin mbi këtë ngjarje, pavarësisht se denoncimi ka ardhur nga një i mitur që akuzohet për një vepër të rëndë penale. Burime të prokurorisë kanë bërë të ditur se pas nisjes së çështjes hetimore, një grup mjekësh kanë kryer ekspertizat e nevojshme për të zbardhur këtë rast. Por pas ekzaminimit ka rezultuar se 16-vjeçari nuk është përdhunuar. Burime pranë prokurorisë së rrethit kanë bërë të ditur se nga hetimi dhe marrja në pyetje e disa personave ka rezultuar se 16-vjeçari e ka bërë padinë në shenjë hakmarrjeje. Ai ishte fyer dhe ofenduar vazhdimisht nga një prej të burgosurve, të cilin ai e ka akuzuar për abuzim seksual. Sipas prokurorisë, 16-vjeçari e ka denoncuar shokun e qelisë në shenjë hakmarrjeje, pasi prej ditësh ai i vinte në dyshim "burrërinë".

16-vjeçari korçar është lënë në arrest me burg, pasi është duke u hetuar për një vepër të rëndë penale. Ai akuzohet për një ngjarje të ndodhur disa muaj më parë. Sipas prokurorisë, ai ka përdhunuar një djalë të mitur në moshë 10-vjeçare, por gjykimi ndaj tij nuk ka filluar ende. Gjykata e Shkallës së Parë në Korçë ka caktuar për 16-vjeçarin masën e sigurisë arrest në burg, duke marrë parasysh akuzën për kryerje të marrëdhënieve seksuale me të mitur, një vepër e rëndë penale që e ka çuar atë në qeli pavarësisht nga mosha. Burimet e prokurorisë thonë se 16-vjeçari është ende nën hetim për veprën që ka kryer dhe ende nuk ka marrë një dënim, por për faktin se ka kryer një vepër të rëndë dhe paraqet rrezikshmëri shoqërore, është nga të paktët persona të kësaj moshe që mbahet në një burg të sigurisë së lartë. Burgu i ri i Korçës nuk ka ambiente të veçanta për të paraburgosurit me moshë nën 18 vjeç dhe për këtë arsye 16-vjeçari është futur në një qeli me të dënuar të tjerë në moshë të rritur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›