Vodhi 18 tonë hekur nga vagonët, kapet 26-vjeçari
Tonelata të tëra hekuri të shkëputura nga vagonët, lokomotivat dhe ndonjëherë nga vetë linjat e hekurta, duke rrezikuar edhe lëvizjen e trenave, janë kthyer në një minierë ari për hajdutët e natës të pajisur me mjete transporti dhe mjete të sofistikuara prerëse për metalet. Një ditë më parë, policia e Durrësit arrestoi një prej hajdutëve më problematikë të Hekurudhave Shqiptare (HSH). Arrestimi i Xhelal Karajt, 26-vjeçarit nga Librazhdi dhe me banim në Spitallë të Durrësit, u bë në flagrancë, ndërsa po priste bashkë me dy persona të tjerë një vagon mallrash, pranë selisë së Drejtorisë së Përgjithshme të Hekurudhave Shqiptare, në Lagjen numër 4 të Durrësit. Rreth orës 03:30 Karaj u kap në flagrancë nga shërbimet e policisë me një kamion vinç me targë DR2728D, në të cilin kishte ngarkuar çerekun e vagonit të mallrave, të cilin në bashkëpunim me dy shtetas të tjerë e kishte prerë me oksigjen dhe ngarkuar në kamion. Automjeti ka mundur të zhvendoset vetëm disa metra nga vendi i ngjarjes, kur është ndaluar nga uniformat blu. Në kohën kur është bërë kapja në flagrancë e 26-vjeçarit, dy personat e tjerë, duke përfituar nga errësira, kanë arritur të largohen nga vendngjarja. Në cilësinë e provës materiale, policia deklaroi se ka sekuestruar kamionin me të cilin Xhelal Karaj po transportonte materialin e vjedhur. Gjithashtu janë sekuestruar edhe disa sende e materiale të vjedhura më parë prej tij dhe dy bashkëpunëtorëve, gjatë kontrollit të ushtruar në një pikë të grumbullimit të hekurishteve në Spitallë të Durrësit. Nga veprimet hetimore rezulton se Xhelal Karaj, në bashkëpunim me dy të tjerët, ka kryer edhe disa vjedhje të tjera gjatë këtij muaji. Konkretisht janë zbardhur vjedhjet e kryera po pranë Drejtorisë së HSH-së në datat 4, 7 dhe 14 shtator. Karaj ka vjedhur herën e parë dy akse vagoni mallrash, më pas dy akse të tjera bashkë me dy rrotat e një vagoni me peshë 6 tonë dhe në mes të muajit ka arritur të vjedhë me shokët e vet 6 akse së bashku me rrotat të një vagoni treni. Kjo vjedhje ka kapur peshën e 18 tonëve. Për të gjitha rastet janë raportuar vjedhjet në polici nga Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave. Drejtori i saj shpesh ka ngritur shqetësimin e këtij fenomeni. Brigadat e punës së linjave të hekurta qëndrojnë në gatishmëri për të shmangur çdo fatkeqësi që mund të shkaktohet nga ndërhyrjet e hajdutëve të skrapit në linja gjatë orëve të natës.