Adoleshenti i dehur vret me gurë fqinjin në Shkozë
TIRANE - Një adoleshent në gjendje të dehur, nuk ka nguruar të qëllojë me gurë dhe copa druri fqinjin e tij, pasi ai refuzoi t’i jepte 5 mijë lekë të vjetra borxh. Goditjet e forta i kushtuan vdekjen një 37-vjeçari nga Shkoza e Tiranës, i cili është gjetur mëngjesin e djeshëm pa jetë nga kalimtarët, të cilët kanë lajmëruar policinë. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë efektivat e Komisariatit nr.1 dhe të seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, për të hetuar mbi rrethanat e vdekjes së Pajtim Elezajt. Verifikimet dhe dëshmitë e marra në vendin e ngjarjes nga oficerët e policisë, shumë shpejt kanë zbuluar se ngjarja nuk ishte një vdekje aksidentale por vrasje e qëllimshme. Burime nga policia thanë se në bazë të deklarimeve të disa personave që njihnin viktimën dhe autorin, është bërë i mundur identifikimi i të dyshuarit si autor i ngjarjes, si dhe bashkëpunëtorëve të tij në krim. Sipas policisë, 37-vjeçari Pajtim Elezaj ka pasur një grindje me 18-vjeçarin Fatjon Leka, me të cilin fillimisht ka debatuar në një lokal dhe bashkë me ta në tavolinë ishin edhe dy miqtë e Lekës, Altin Koldashi 25 vjeç dhe Refik Kurti, 34 vjeç. Mësohet se 18-vjeçari para se të debatonte me viktimën kishte konsumuar një sasi të konsiderueshme pijesh alkoolike dhe ishte në gjendje të dehur. Në muhabet e sipër, Fatjon Leka i ka kërkuar fqinjit të tij, Elezaj 5 mijë lekë të vjetra borxh, por ky i fundit ka refuzuar. Në këtë moment Leka në bashkëpunim me njërin nga miqtë e tij, Koldashin, e kanë nxjerrë jashtë dhe më pas 18-vjeçari ka nisur ta qëllojë më sende të forta, çfarëdolloj objekti që ka gjetur në tokë, deri sa 37-vjeçari ka ndërruar jetë. Vetëm disa momente pas ngjarjes, policia mundi të arrestojë të dyshuarin e ngjarjes, Fatjon Lekën, i cili u arrestua në afërsi të zonës së njohur si “Fresku”, tek rruga “Aleksandër Moisiu” në Tiranë.