PS: Po grabitet prona me ligj për interesa të Familjes
Deputeti socialist Fatmir Toçi akuzoi Kryeministrin Berisha se po grabit me ligj pronat e fermerëve për interes të tij. “Bëhet fjalë për një projektligj të ri, që do të kalojë së shpejti për t’u miratuar në Kuvendin e Shqipërisë “Për disa ndryshime në ligjin në ligjin e vitit 1995, për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore”, i cili kalon në pronësi të përdoruesve tokën, por duke e reduktuar ndjeshëm atë deri në 1/3 e asaj që kanë sot”, u shpreh Toçi. Duke sjellë në vëmendje Orikumin, Livadhitin në Himarë, Borshin, Qeparonë, Kakomenë dhe gjithë Bregdetin e Jugut deputeti socialist tha se: “Kjo grabitje me ligj, por duke mos kursyer as dhunën policore kur e lyp nevoja, që kërkohet t’u bëhet banorëve është një tjetër shprehje e përpjekjeve të paskrupullta të një klani”.