Nano, darkë me ministrin Bode
Aristir Lumezi
Ish-kryetari socialist Fatos Nano ka darkuar të dielën me ministrin e Financave, Ridvan Bode. Pa asnjë kujdes për të qenë larg syve të klientëve të lokalit të njohur “Sofra e Ariut”, në kodrat e Liqenit artificial të Tiranës, ish-kreu i ekzekutivit socialist, i njohur për mungesën e komplekseve politike, ka qëndruar për një kohë të gjatë i shoqëruar me ministrin aktual të Financave. Nano e Bode kanë qenë vetëm dhe jo të shoqëruar nga miq të tyre, duke i bërë edhe më mister çështjet që ata kanë biseduar. Takimi i tyre zhvillohet në një situatë krize politike, mes maxhorancës dhe opozitës, për shkak të bojkotit të Parlamentit nga opozita, ndërsa ajo ka paralajmëruar përshkallëzim të reagimit të saj. Të premten, më 20 nëntor, opozita do të zhvillojë një protestë treditore në sheshin ‘Skënderbej’ e më pas para godinës së Kryeministrisë, ku do të qëndrojë deri ditën e diel. Në një bisedë të gjatë mes dy politikanëve të vjetër të së dy kampeve, nuk duhet të kenë munguar as komentet rreth mesazheve të dhëna nga faktori ndërkombëtar, nga Departamenti i Shtetit e deri tek përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Evropian për dhënien fund të bojkotit dhe gjetjes së një zgjidhje për krizën nga ana e Qeverisë. Bode konsiderohet ministri më i pushtetshëm brenda PD-së, i cili njëkohësisht mban dhe postin e Sekretarit të Përgjithshëm. Marrëdhëniet mes ministrit të PD-së dhe ish-kryeministrit socialist nuk kanë kulmuar në acarime të ashpra mes tyre gjatë kohës që Nano ushtronte detyrën e shefit të ekzekutivit. Si ekonomistë të njohur, debatet zakonisht janë përqendruar vetëm gjatë miratimit të buxheteve vjetore, ndërsa kanë mbajtur marrëdhënie korrekte mes tyre. Ish-kreu socialist, i njohur për qëndrimet e tij të hapura me kundërshtarin politik, nuk ka ngurruar të takohet disa herë dhe me Kryeministrin Berisha, ndërsa takimet me ministrat e tij, nuk përbëjnë më surpriza. Në shkurt të këtij viti, Nano është parë nën shoqërinë e ministrit të atëhershëm të Jashtëm, Lulëzim Basha. Ish-kryetari socialist dhe ministri i Jashtëm në atë kohë, Lulëzim Basha kanë drekuar në “Prince Park”, pranë rezidencës presidenciale të Pallatit të Brigadave. Ai takim ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e ministrit të Jashtëm për një drekë me ish-kreun socialist, njeriun me influencë brenda të majtës, por një gjë e tillë nuk kishte qenë e lehtë për t’u realizuar për shkak të lëvizjeve të vazhdueshme të Nanos jashtë shtetit.