Remzi Hoxha,"zhduket" dëshmitari
TIRANE – “Arratiset” jashtë vendit një nga dëshmitarët “kyç” në gjykimin e dosjes “Remzi Hoxha” në Gjykatën për Krimet e Rënda. Riza Shehu, i kërkuar si dëshmitar nga organi i akuzës, në procesin me të pandehur katër ish-eprorë në Shërbimin Sekret, është larguar drejt Italisë vetëm një ditë para gjyqit. Gjithçka u bë e ditur në seancën e djeshme tek Krimet e Rënda, seancë në të cilën Riza Shehu ishte njoftuar të ishte i pranishëm para gjykatës. Ndërsa kishte marrë njoftim dhe kishte pranuar të paraqitej para togave të zeza, dëshmitari Shehu mungonte dje. Prokurori i çështjes paraqiti para gjykatës të dhëna zyrtare të sistemit TIMS që provonin faktin se dëshmitari vetëm një ditë më parë ishte larguar drejt Italisë. Në vijim prokurori kërkoi që pyetja e tij të realizohej nëpërmjet letërporosive në adresën e tij në vendin fqinj, adresë e cila zotërohet nga organi i akuzës. Bëhet e ditur se dëshmitari Riza Shehu ka dijeni mbi rrëmbimin e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha në vitin 1995 në Tiranë. Kjo pasi dyshohet se Shehu është një nga oficerët e SHIK, që ka qenë në automjetin me të cilin është rrëmbyer biznesmeni Hoxha në punishten e tij tek “Frigoriferi” në kryeqytet. Po dje gjykata u njoh me dëshminë e Bujar Dervishit. Dëshmitari Dervishi ishte kontaktuar nga vëllai i biznesmenit Remzi Hoxha, për të blerë një fugon me të cilin do të transportonin profile të duraluminit, pasi punishtja do të zhvendosej në Durrës. Sipas tij, dijeninë për rrëmbimin e Hoxhës e kishte mësuar vetëm nga vëllai i biznesmenit. ar.ba