Imami: Departamenti i Shtetit nuk mbështet bojkotin
Ministri i Mbrojtjes Arben Imami, pas kthimit nga vizita zyrtare në Uashington, shprehu mesazhin e administratës amerikane për zhvillimet politike në Shqipëri. Imami risolli në vëmendje takimin në Departamentin e Shtetit, me Stuart Jones dhe Thomas Countrymann, si dhe në Shtëpinë e Bardhë me zonjën Elisabeth Rondall, asistente Speciale e Presidentit të SHBA dhe drejtore për Çështjet Evropiane. “Në këto takime u bisedua për zhvillimet politike në Shqipëri. Në Departamentin e Shtetit mu bë e qartë se askush nuk ka simpati dhe nuk e mbështet bojkotin. Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë asnjë dyshim dhe pikëpyetje për zgjedhjet, për parlamentin, për qeverinë dhe për koalicionin qeverisës dhe se pjesëmarrja e opozitës në Parlament është e domosdoshme në këto momente shumë të rëndësishme për procesin integrues të vendit”, u shpreh ministri shqiptar i Mbrojtjes. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas tij, janë gjithashtu të angazhuara për të vazhduar ndihmën për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”.