Adoleshenti, thikë shokut për një vajzë
Dy adoleshentë kanë nxjerrë thikat pas një grindjeje me njëri-tjetrin, ku për pasojë është plagosur njëri prej tyre. Burime policore thanë për gazetën se ngjarja ka ndodhur rreth orës 12.00 në rrugën “5 maji” në Allias. Po sipas tyre, i plagosuri është identifikuar si Arbër Loshi, 17 vjeç, i njohur si person me precedent penal. I dëmtuari i ka kërkuar ndihmë një personi, që lëvizte me mjetin e tij në drejtimin Allias-Rruga e Dibrës. Drejtuesi ka ndaluar mjetin dhe e ka marrë të plagosurin për ta çuar në urgjencën e kirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare. I pyetur nga punonjësi i rendit atje, ai ka deklaruar gjithçka rreth mënyrës se si i plagosuri i ka kërkuar ndihmë për ta dërguar me urgjencë në spital. Transportuesi i adoleshentit nuk dinte asgjë rreth identitetit të tij apo dhe rreth ngjarjes në të cilën ishte përfshirë ai. Uniformat blu të Komisariatit Nr. 4 kanë shkuar në spital për të pyetur adoleshentin për rrethanat e ngjarjes. Ai ka deklaruar se një person e ka qëlluar me thikë pse kishte parë vajzën me të cilën shoqërohej, por nuk e njihte fare agresorin. Policia nuk e ka besuar variantin e treguar nga adoleshenti për ngjarjen, pasi ai është kontingjent i tyre dhe dyshimet më të mëdha janë për pazare të prishura mes tij dhe autorit të plagosjes. Madje, ata besojnë se Loshi e njeh autorin, por nuk dëshiron të rrëfehet për identitetin e tij, pasi nëse zbulohet agresori del qartë e vërteta e rreth konfliktit mes tyre.
#