Ambasadori amerikan inkurajon të rinjtë
Mbarojnë shkollën e policisë 49 kursantë të rinj, të cilët tashmë do t’i nënshtrohen praktikës dhe pas tre muajve do të hyjnë në radhët e policisë. Nga 50 kandidatët që u regjistruan në muajin tetor, vetëm një prej tyre nuk e ka mbaruar këtë kurs, ndërkohë që ditën e djeshme atyre u janë shpërndarë certifikatat personale. Në ceremoni ishin të pranishëm ambasadori amerikan, John L. Withers, zv.drejtori i përgjithshëm për trajnimin policor në Policinë e Shtetit, Ahmet Haxhiaj, drejtori i Qendrës së Formimit Policor, Nazmi Kotarja, përfaqësues të programit ICITAP, përfaqësues të misionit PAMECA III, si dhe drejtues e instruktorë të Qendrës së Formimit Policor. Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, ambasadori Withers theksoi se ky trajnim i ri e lejon Policinë e Shtetit shqiptar që të emërojë apo të caktojë personelin e saj me më shumë fleksibilitet, duke u mundësuar oficerëve një mundësi për të pasur një eksperiencë në detyra të shumëllojshme gjatë karrierës së tyre në polici. “Sot dëshiroj të përgëzoj gjithashtu stafin akademik dhe personelin për të gjitha përpjekjet e tyre në zhvillimin e këtyre burrave dhe grave profesionistë, të cilët përfaqësojnë të ardhmen e policisë shqiptare. Ndërsa ju që diplomoheni sot, dëshiroj t’ju uroj dhe t’ju inkurajoj që të kombinoni arritjet tuaja gjatë këtyre 22 javëve të trajnimit me pasionin për karrierën dhe krenarinë për kombin tuaj”, tha ambasadori amerikan. Në përfundim të ceremonisë, kursantëve të rinj iu shpërndanë diplomat përkatëse për përfundimin me sukses të Kursit IV bazë 22-javor “Patrullë e përgjithshme”, ndërsa kursantëve me rezultate më të mira iu shpërndanë certifikata falënderimi.
#