E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëshqitja e tokës bllokon për dy ditë rrugën Ballsh-Tepelenë

Mallakastër Ndërhyrjet e herëpashershme nuk e kanë shmangur dot problemin në aksin kombëtar

Për më shumë se dy ditë, në afërsi të Përroit të Poçemit në fshatin Fratar është bllokuar nga balta një segment i rrugës nacionale Tepelenë-Ballsh dhe për të zhbllokuar qarkullimin është improvizuar një rrugë dytësore, e cila kalon nëpërmjet trasesë së vjetër të kësaj rruge. Burime të Drejtorisë Rajonale të Rrugëve për Qarkun e Fierit bënë të ditur se lëvizja është normalizuar disi pas një ndërhyrjeje emergjente intensive në afërsi të fshatit Fratar, rreth 20 kilometra larg qytetit të Ballshit. Rruga është bllokuar, pasi në të majtë të saj pas shirave të vazhdueshëm të kësaj jave ka ndodhur një shkëputje masive dheu në një masë më të madhe se 100 metra gjatësi të kësaj rruge. Sipas drejtuesve të DRR të Qarkut të Fierit, prej vitesh ky aks rrugor shtrihet në një zonë me parametra gjeologjikë të disfavorshëm. Të njëjtat burime pohuan gjithashtu se pavarësisht ndërhyrjeve të vazhdueshme për ndërtimin e mureve mbajtëse prej betoni, të mbushjes me çakëll të trasesë së rrugës, nivelimit dhe ngjeshjes së materialeve inerte, përsëri balta ka kapërcyer muret dhe ka mbuluar rrugën, duke e bërë atë të pakalueshme. Kjo pjesë e segmentit kombëtar vetëm disa muaj më parë ka pasur një investim për të eliminuar këtë fenomen të shumëpërsëritur, megjithatë strukturat e paqëndrueshme kanë rikthyer situatën e vështirë, duke e dëmtuar tërësisht. Prej mesditës së djeshme, automjetet kanë mundur të lëvizin në një rrugë të improvizuar njëkalimshme, shprehen burimet e sipërpërmendura. Ndërkaq, Drejtoria e Policisë së Fierit ka vendosur një postbllok 24 orësh për t’u ardhur në ndihmë drejtuesve të automjeteve që qarkullojnë në këtë aks. Aksi rrugorë Ballsh-Tepelenë ka një gjatësi prej 70 kilometrash dhe gjerësi rreth 6 metra. Në fillim, në muajin shtator të vitit të kaluar ka nisur zbatimi i projektit të rrugës së re kombëtare Tepelenë-Levan (Fier), me gjatësi 70 kilometra dhe gjerësi 10.5 metra. Investimi për përmirësimin e kushteve të këtij segmenti, historikisht të aksidentuar nga rrëshqitjet e tokës, financohet nga një kredi prej 70 milionë eurosh akorduar nga Banka Europiane e Investimeve (BEI) dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›