E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konflikti, biznesmeni plagos me pistoletë klientin

Dritan Kozi, pronar i një karburanti dhe lokali, ka qëlluar ndaj Albion Ismailit, pasi e kishte goditur me grushte

Pronari i një karburanti dhe lokali ka tentuar të vrasë një klient, pasi i kishte bërë zhurmë në lokal. Ngjarja ka ndodhur në Babrru të Tiranës, ndërkohë që policia ka arrestuar 33-vjeçarin Dritan Kozi. çdo gjë ka ndodhur brenda pak minutash, kur i dëmtuari Albion Ismaili ka qenë duke qëndruar në lokal me disa miqtë e tij. Sipas të dhënave hetimore, ata kanë qenë duke pirë alkool. Nga gjendja e krijuar kanë filluar të flasin me zë të lartë dhe për këtë pronari u ka kërkuar që të jenë më të qetë. Por tërheqja e vëmendjes ka irrituar klientët dhe ka nisur një debat mes tyre. Më tej, Kozi i ka paralajmëruar se do i nxirrte jashtë, se lokali ishte i tij dhe nuk lejonte skena të tilla. Kjo i ka nevrikosur më shumë klientët dhe menjëherë Ismaili është çuar në këmbë dhe duke debatuar e ka goditur me grushte pronarin e lokalit, i cili është edhe pronari i një karburanti që ndodhet pranë vendit ku ndodhi ngjarja. Në këto kushte konflikti ka marrë përmasa të tjera dhe Dritan Kozi ka hyrë brenda duke marrë një pistoletë “TT”. Protagonisti tjetër ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes, por nga të shtënat ka mbetur i plagosur në këmbë. Menjëherë kanë ndërhyrë personat e tjerë, ndërkohë që biznesmeni është larguar me shpejtësi nga vendngjarja. Nga ana tjetër, dëshmitarët kanë marrë të plagosurin dhe e kanë dërguar në spital. Sipas mjekëve, gjendja e tij shëndetësore është përmirësuar dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkaq, grupi hetimor ka mundur që brenda një kohe të shkurtër të arrestojë biznesmenin, që ka pranuar krimin, duke treguar edhe motivin e saj. Policia tha se ai akuzohet për plagosje të rëndë me dashje.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›