E Diel, 1 Nëntor 2026

Ushtria nis punën në rrugën e Kapinovës

Berat

Tri javë pas shembjes së një pjese të rrugës që lidh fshatin Kapinovë me qendrën e Komunës Vërtop, forcat e ushtrisë kanë nisur punën për hapjen e një rruge të re. Dy fadroma të ushtrisë mbërritën dje në mesditë në Komunën Vërtop, ku forcat e Repartit të Xhenios nisën punën për hapjen e rrugës. Terreni i thyer ka vënë në vështirësi forcat e ushtrisë, që kanë kthyer shpresat te banorët e zonës. Janë rreth një mijë banorë në fshatin Kapinovë, të cilët presin hapjen e rrugës së shembur për t’u lidhur me fshatrat e tjerë dhe qytetin e Beratit. Mjetet ushtarake mësohet se do të punojnë deri në hapjen e rreth 200 metrave linearë rrugë tashmë krejtësisht të shembur, si pasojë e rrëshqitjes së tokës. Pas kërkesave të bëra për ndihmë nga ana e kryetarit të komunës Flamur Balliu, Prefekti i Beratit i kërkoi ndihmë Ministrisë së Mbrojtjes që vuri në dispozicion mjetet dhe forcat e ushtrisë për nxjerrjen nga izolimit të Kapinovës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›