Rrëshqet toka, 5 shtëpi në rrezik
Pesë shtëpi në hyrje të fshatit Gjoricë në rrethin e Bulqizës kanë rrezikuar shembjen, për shkak të rrëshqitjes së malit rrëzë të cilit ndodhen. Kjo rrëshqitje toke ka dëmtuar edhe rrugën që lidh Gjoricën, qendrën e komunës me rrugën nacionale, Bulqizë-Shupenzë-Peshkopi. Kjo rrugë e shtruar me asfalt para shtatë muajsh, gjatë ditës së djeshme është bllokuar për rreth tri orë, si rezultat i rrëshqitjes së një masivi dheu nga mali sipër saj. Si pasojë e kësaj rrëshqitjeje rruga është dëmtuar në një segment prej rreth 50 metrash, ku shtresa e asfaltit është ulur rreth 50 centimetra, duke sjellë kështu vështirësi në qarkullimin e automjeteve. Banorët thonë se ndihen mjaft të shqetësuar, pasi rrëshqitja është afruar te shtëpitë e tyre, duke i rrezikuar seriozisht. Ndërkohë, veç rrezikut të shembjes së shtëpive, një problem më vete përbën edhe dëmtimi i kanalit vaditës të këtij fshati.
#