Adoleshenti var veten në dyqan
Një 19-vjeçar që punonte në një dyqan fruta-perimesh është gjetur i vetëvarur dje në orët e para të mëngjesit, ndërkohë që për policinë mbeten mister motivet e këtij akti. Sipas policisë, ai është djali i një tregtari dhe ka varur veten në dyqanin e tij, vetëm pak metra pas Komisariatit nr. 2 në Tiranë, pranë 21 Dhjetorit. I riu, sipas policisë, quhet Isa Alla, me origjinë nga Librazhdi e me banim në Kombinat. I ati i tregtarit kishte shkuar për të sjellë furnizimin, ndërsa djali kishte hapur dyqanin. Ka qenë një kliente, e cila kishte shkuar tek dyqani, që ka parë qepenin gjysmë të hapur dhe kur është futur brenda ka vënë re 19-vjeçarin e varur në litar. Menjëherë ajo ka njoftuar policinë. Përveçse konfirmohet se është një vetëvrasje, policia nuk di të thotë ende ndonjë shkak se përse i riu kishte marrë këtë vendim. Policia tha se ka pyetur edhe babanë e tij, i cili nuk kishte vënë re ndonjë shqetësim tek i biri.
Adoleshenti var veten në dyqan burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip